Para pak ditësh, me siguri keni parë një “betejë” televizive mes kreut të opozitës dhe maxhorancës së imagjinuar sikur ndodhej në studio. Kreu i opozitës nxori një fotografi ku dukej një banor i Shijakut, me emrin Durim Keçi, në krah të një ministri socialist… Të nesërmen, dikush nga maxhoranca, nxori një fotografi me të njëjtin person që hynte e dilte në çadrën e protestës së opozitës gjatë protestës para zgjedhjeve…
Ky njeri i emërtuar tashmë si “Njeriu i Fotografisë”, i cilësuar si ‘kriminel’ dhe i kërkuar nga Italia, ndodhet në udhëkryq ligjor.
Durim Keçi, i forti i Shijakut i arrestuar nga Policia shqiptare për dobi të Interpolit Italian, rrezikon të mos ekstradohet në Itali.
Avokati i Keçit, Ilia Ilia, ka deklaruar se në dosjen e klientit të tij mungon garancia nga Italia, garancia se ai do të rigjykohet nga e para. Italia duhet të japë garanci për këtë.
Edhe në seancën e fundit ku u dha masa e sigurisë, Ilia tha se pas operacionit të Policisë italiane të quajtur “Kanun” në zonën e Bergamos në Itali, ku brenda një nate u arrestuan 135 banorë të Shijakut, u montua një gjyq manipulator dhe diskriminues ndaj shqiptarëve aso kohe. Ata u arrestua brenda një nate si përfaqësues të një bande kriminale, pas denoncimit të dy vajzave nga Katundi i ri, të Suzana Vuthit dhe Ermira Kadiut. 5 prej anëtarëve të ‘Kanunit’ (kod policor) u gjykuan në Shqipëri, njëri mori pafajësinë ndërsa të tjerët morën dënime shumë të lehta midis tyre, Arjan Kapo që mori pafajësinë, Arben Plaku, Rudin Calliku, etj. .
Avokati hodhi akuza të rënda në drejtim të sistemit gjyqësor Italian, që sipas tij ka diskriminuar shqiptarët me vendimet e dhëna. Një prej tyre është edhe klienti i tij. Dëshmia e dy vajzave u manipulua nga drejtësia italiane. Ato u përdorën dhe gjyqi ndaj 135 shijakasve dhe atyre nga ‘Katër Rrugët’ u bë në mënyrë për të diskriminuar shqiptarët.
Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovës/ Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale “Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike “,” Krime me armë kundër personit”, ” Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni” parashikuar në nenet 338, 81, 342, 635/2 , 110, 73 dhe 416 të Kodit Penal Italian.
Veritas.com.al/