Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka bërë me dije se dy raste specifike janë dërguar në organet hetimore, ndërkohë që ka theksuar faktin se njësia e sapokrijuar e Antikorrupsionit, do të nënshkruajë memorandume bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me Strukturën e Posaçme SPAK.
Dy rastet që Manja bëri me dije, janë në Ishëm dhe Tiranë.
Në të parin, bëhet fjalë për një rast flagrant, ku mbi një kopsht publik, është lejuar ndërtimi i një objekti në mënyrë të jashtëligjshme. Jo vetëm kaq, por objekti më pas, është privatizuar nga zyra kadastrale.
Për këtë arsye, gjashtë punonjës shtetërorë janë kallëzuar në SPAK mbi veprimin.
Rasti është flagrant, për arsye se zona ku ndodhet objekti, është zonë turistike. Në kopsht ndërkaq, vijon të punohet për edukimin e fëmijëve që janë pjesë e tij. Legalizimi i objektit mbi kopshtit ndërkaq, është kryer në mënyrë abuzive.
Shteti më pari, i pati kaluar pronësinë njësisë administrative Ishëm. Më pas, personat e kallëzuar kanë vepruar për kalimin e objektit tek privati. Në përfundim, objekti është legalizuar në emër të privatit.
Rasti i dytë është sërish një rast prone, por në Tiranë. Këtu, abuzimi ka të bëjë me regjistrimin e një prone pa asnjë kërkesë apo dokumentacion të paraqitur, në njësinë administrative numër 2 në Tiranë.
“Kjo pasuri figuron me tre cilësi të ndryshme”, tha Manja. “Një herë, rezulton si prona e një qytetari. Më pas, rezulton si pronë shtetërore e së fundmi, si prona e një qytetari tjetër, i cili nuk ka bërë asnjë kërkesë mbi pronën”.
Objekti është prej 1 mijë metrash katrorë, nga i cili 140 metra katrorë janë ndërtim.
Personi përgjegjës, është një i vetëm në këtë rast. Ai është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.
Këto janë edhe dy rastet e para, të cilat i ka publike Manja dhe i ka trajtuar njësia antikorrupsion.
Mbi 130 të tjerë ndërkohë, janë duke u shqyrtuar. Pjesa më e madhe, kanë të bëjnë me kadastrën dhe hipotekën, por nuk mungojnë as rastet noteriale. Mbi këto të fundit, ministri cilësoi se duhet të ketë më shumë kontroll.