Nga: Astrit Patozi/
Këtë Kozma Janon, kandidat për KLP, i cili e paska pasur pseudonimin “Telefoni”, nuk kam nga ta njoh, por nuk është vetëm ky problemi, që nuk dua të merrem me të.
Nuhatja më thotë se ai nuk e kupton hiç se për çfarë është atje dhe pse nuk mund të jetë. Ndaj edhe nuk po i drejtohem fare atij për të dhënë dorëheqjen një orë e më parë.
Por atyre që përgjërohen për reformën në drejtësi, vendas apo të huaj qofshin, kam gjithë të drejtën e botës t’ua kërkoj të na shpëtojnë nga Kozmai. Jo nga personi, por më shumë nga fenomeni.
Nuk e di si do ta zgjidhnin, por ikja e tij prej aty do të ishte minimumi që mund të bëhej, për të mos e çuar në fund të këmbëve edhe atë pak shpresë që ka ngelur se diçka mund të ndryshojë për mirë tek kjo drejtësi e kalbur dhe e kapur.
Ndërkohë penetrimi i “Telefonit” deri në buzë të promovimit për njërin nga institucionet e larta të drejtësisë së re është një alarm i madh për krizën e rëndë të sistemit tonë. Unë nuk kam të dhëna që të fajësoj Autoritetin e Hapjes se Dosjeve për këtë “kalim të paligjshëm kufiri”. Mund të jetë pamundësi, por ndoshta edhe neglizhencë e tyre, që “Telefoni” për pak e kaloi pa u detektuar postbllokun i ligjit në emër të ligjit.
Por edhe po të isha i sigurt që ata e kishin bërë qëllimisht unë nuk jam aq naiv sa të fajësoj sot dikasterin e Genta Sulës.
Sepse rrënjët duhen kërkuar tek aktorët kryesorë politikë, të cilët kanë marrë përsipër redormimin e drejtësisë, duke votuar unanimisht në verën e vitit te shkuar.
Të qeverisë në radhë të parë, që është në të gjitha rastet dhe kurdoherë problemi më i madh. Por edhe të opozitës, për aq sa i takon.
Ndaj pasi të na ketë shpëtuar nga Kozmai i KLP-së, Edi Rama dhe maxhoranca e tij mund të na bëjë një nder më të madh. T’i drejtohet Autoritetit Shtetëror për zbardhjen e të shkuarës për cdo titullar të lartë të saj, pa pritur që të na dalin histori të ngjashme me “Telefonin”. Vetëm kështu mund të ketë kuptim ekzistenca e atij institucioni, që të shërbejë si filtër për të penguar fosilet e Sigurimit të Shtetit që të na drejtojnë edhe në demokraci.
Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Lulzim Basha, i cili ka marrë përgjegjësi, jo vetëm për të tashmen, por edhe për trashëgiminë politike të Partisë Demokratike.
Të çojë për verifikim të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë të saj. Deputetë, e ish-deputetë, ish-ministra, drejtues të lartë e drejtorë të mëdhenj, pa asnjë dallim në këto 25 vjet.
Sepse vetëm kështu njerëzit do të besojnë që ne i kemi realisht alergji ish-spiunët apo bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, dhe nuk kujtohemi për ta vetëm kur “Telefoni” bie nga ana e kundërshtarit.
Veritas.com.al/