Nga: Agim Xhafka/

Shpesh lexoj nga njerëz të vuajtur burgjeve e internimeve ngjarje makabre. Ku tregohet se si  sekretarët komunistë, prokurorët, hetuesit, policët, gardianët i torturonin, i rrihnin,i trajtonin si kavie dhe u mohonin çdo të drejtë themelore. Nga kujtimet e mijëra njerëzve bëhet më e zezë se e zeza epoka e “ndritur” e socializmit të Hoxhës, ku një klikë me veglat e veta sundonte egër, pa ligje e rregulla shumicën e popullatës dhe shpikte teori e filozofi që nënshtrimi ndaj njëshit ishte e ardhmja e ndritur.

Në këto shkrime herë pas here lexoj unë dhe kushdo një frazë të çuditshme, por që shkruhet njësoj tash e 27 vjet rresht. “Për arsye etike nuk po përmend emra”, thonë të përvuajturit. E ndërsa nuk harrojnë të shkruajnë se iu shkulën thonjtë me pinca, iu thyen dhëmbët nga rrahjet, iu internua krejt familja, u lanë ditë e ditë pa ngrënë, flinin në qeli mbushur me ujë,punonin në këneta plot me gjarpërinj, u verbonte sytë prozhektori në hetuesi, shtojnë se nuk po përmendim persona për arsye etike.

Një naivitet me brirë. Krejt sjelljet çnjerëzore i bënë njerëz të besuar të klikës. Ata kishin poste, rroga, punëra të mira për farë e fisin,shkolla të preferuara për fëmijët. Torturat ndaj të burgosurve ata i bënin me vetëdije, bile me zell se donin të tregonin sa e deshën atë regjim e prisnin llokmën e radhës. Ndaj egërsia e tyre ia kalon nazistëve,ishte e vullnetshme dhe lipsej të dënohej kokërr më kokërr, emër më emër. Ngjan pak edhe si frikë fshehja e tyre pas një slogani etik. Në se ata do ishin kushtet do bënin njësoj të njëjtën gjë. Ishin si qenër gjuetie që iu sulen menjëherë shpezëve që do qëllojë padroni.

Etika e ruajtjes së emrave solli të keqen e madhe që nuk u zbulua me fakte sasia e xhelatëve,kuintalët e gjakut qe pinë si dhe u trimërua ish- klika e djeshme për të synuar sërish pushtet. E nga ajo etikë para dy ditësh e pësuam një thikë. Zgjedhja e Ruçit ishte një plagë e re që hapi komuniteti i djeshëm i xhelatëve. Krahu politik i kriminelëve zuri një post të rëndësishëm. Të burgosurit e të vuajturit treguan krimet,por fshehën vrasësit. Tani ata një këmbë e kanë në pushtet. E mos mendoni se do t’u respektojnë për etikë. Do iu trajtojnë njësoj. Por jo me heqje thonjsh, as me vezë të ziera nën sqetulla. Do u marrin shpirtin se do u lenë pa punë, pa prona, pa biznes, pa shkolla e për çdo gram ajër që do merrni do u kërkojnë parapagim.

E ruajtët etikën?, bëhuni gati të hanë thikën. E ruajtët etikën?, merrni malet se vetë e ngjallët klikën…

Veritas.com.al/