Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se projektligji për amnistinë penale do të rikthehet në Parlament dhe do të votohet nga 140 deputetët. Edhe pse nuk dha një datë për rikthimin në seancë, Manja u shpreh i sigurt se deputetët do të reflektojnë.
“Të gjithë e kanë kthyer fjalën burg në fjalorin e tyre, por askush nuk kujtohet për kostot që ka mbajtja e një personi në burg. Nuk ka asnjë gjë të keqe që një njeri që është rehabilituar t’i bashkohet familjes së vet 6 muaj apo 1 vit para afatit”, tha Manja.
Ministri tha se socialistët nuk i duan me kusht votat e Lulzim Bashës, i cili një ditë më parë u tërhoq nga mbështetja e projektligjit.
“Nuk dua votat e Lulzim Bashës me kusht, ose për këdo tjetër. Duam votat e deputetëve, të lexojnë ligjin. Votat janë aty në atë sallë, të jeni të bindur që do të marrë 90 vota ky ligj. 140 do të marrë, sepse ndryshe nuk do të kenë fytyrë të dalin para njerëzve. Kur shkojnë nëpër zonat elektorale dhe njerëzit u kërkojnë amnisti, u premtojnë duke iu thënë se ligjin e kanë aty. Kur vijnë në Parlament pastaj transformohen”, tha Manja.
Ai shtoi se Basha ka kërkuar amnisti vetëm për protestuesit e periudhës 2018-2020.
“Vetëm për ata të vetët. Ka kërkuar amnisti për shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës, etj. Po për ata që protestuan më 8 janar a do të ketë amnisti?”, tha Manja.