Nga Afrim Krasniqi

Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një kërkesë Presidentit të Komisionit të Venecias lidhur me nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Pavarësisht analizës përmbajtësore të kërkesës, e cila në thelb shpreh synimin e qartë të mazhorancës për të marrë përgjigjet që janë në interes të nismës së saj, interesante është edhe gjuha formale e përdorur. Në kërkesë janë adresuar tetë pyetje, ku në dy pyetjet e para Kuvendi ka përdorur termin “regjim parlamentar” në vend të termit “sistem qeverisës parlamentar” ose “republikë parlamentare”.

Në fakt, Fjalori i Gjuhës Shqipe 1980, i ngarkuar me koncepte ideologjike nuk bën dallim thelbësor midis termit “regjim” dhe “sistem qeverisës”, por fjalori i Oksfordit, i cili merret si pikë referimi në të gjitha vendet demokratike, ka dallim thelbësor midis këtyre dy termave. Ai i njeh termit “regjim” konotacion negativ, siç duket edhe në foton bashkëngjitur. Edhe në ligjërimin tonë politik e publik termi “regjim” përdoret në konotacion negativ, “regjimi i Hoxhës”, “regjimi komunist”, “regjimi i Zogut” dhe madje kur akuzohet një qeverisje autoritare palët politike akuzojnë njëra tjetrën se po kalohet në “regjim”. Së fundi, edhe Pandeli Majko në debatin parlamentar të datës 13 qershor 2019 paralajmëroi se “ne rrezikojmë degradim në regjim”, pra duke i njohur konotacionin negativ këtij termi

Kushtetuta e Shqipërisë, neni 7 përcakton se “sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor” kurse neni 1 përcakton se “Shqipëria është republikë parlamentare”. Pra, Kushtetuta përdor fjalët “sistem qeverisës” dhe jo “regjim” kur përcakton natyrën e formës së qeverisjes parlamentare në Shqipëri. Në tekst gjithashtu ka shprehje të tilla si “në raportet me pushtetin e shtetit” apo “kufizimeve që sovrani ka vendosur”, etj, të cilat janë trajta shprehjesh të pazakonshme në praktikat e komunikimit dhe ligjërimit institucional.

Me siguri përkthyesit anglisht mund ta kenë mënjanuar defektin dhe dyzimin e termave, por dokumenti historik i Kuvendit adresuar Komisionit të Venecias, përmes të cilit iniciohet shkarkimi i të parit President të Republikës, do të mbetet origjinal dhe bashkë me defektet e tij si dokument referues në arkivin historik e shtetëror. Dhe qoftë edhe për këtë arsye shkrimi, formulimi dhe adresimi i dokumenteve të tilla kërkon së paku më tepër kujdes e profesionalizëm. Shqipëria e 2019 ka juristë e profesionistë mjaft të mirë, të aftë që së paku, “të jemi në rregull me letrat” edhe kur nuk jemi në rregull me institucionet, qeverisjen dhe aplikimin e demokracisë përfaqësues e funksionale.

Veritas.com.al/