( FOTO: Kjo është pamja që ka transmetuar sot këshilltari i zonjës Merkel)/

Nga: L. Skiro/

Megjithëse udhëheqja politike e vendit kishte ngritur në qiell pluhurin e ‘trokut të kuajve’ të fitores se sot në Gjermani kryeministri Rama do të tundë dheun dhe do të jepet fjala e krushqisë për në BE, në fakt nuk ndodhi.

Sikur të ndodhte që Gjermania politike të hapej krahësh e ku ta dish para shqiptarit që kërkon ‘nuse’ Europën, atëherë në fakt nuk do të kishim Europën e qytetërimit dhe principe që ka; aq më pak nuk do të kishim më Gjermani. Shqipëria nuk është gati për në Europë qoftë edhe për faktin  se e percepton kontinentin e madh të vlerave si një katund në Shqipëri ku kryeministri shkon me arrogancë, tallet me njerëzit, i prozvald, këta hapin gojën e qeshin si idiotë, dhe ky shkon triumfal në Tiranë.

Në fakt ‘propaganda’ e mediave të kryeministrit se ‘sot bëhet nami në Berlin’ doli e do të dilte huq. Zonja Merkel e priti Ramën, por nuk kishte lajm. Nuk kishte lajm sepse nuk ndodhi gjë. As premtoi as mohoi njeri negociatat me Shqipërinë…

Zonja Merkel tha atë që do ta thoshte edhe në gjumë: “Vazhdoni punën dhe reformat”.

A nuk e dinim këtë? E dinim… Atëherë nuk ka lajm.

Mediat u detyruan të shkruajnë pa glorifikim vetëm kaq, me gjuhën e drujtë:

‘Kryeministri Edi Rama është takuar sot në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel. Në takimin mes dy politikanëve është diskutuar për integrimin e Shqipërisë në BE, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimin në rajon’.

Zëdhënësi i Angela Merkel, Steffen Seibert ka postuar në Twitter foton e takimit si dhe mesazhet kryesore që Merkel i ka përcjellë kryeministrit shqiptar.

“Kancelarja Merkel takohet me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama: Unë vetëm mund t’ju inkurajoj që rruga e reformave  të vazhdojë. Kjo krijon mundësi për rritje ekonomike dhe mundësi për të ardhmen e rinjve”, – shkruan në postimin e tij këshilltari i kancelares, Steffen Seibert.

A kishte lajm këtu për bujën e kryeministrit tonë dhe për negociatat. Unë nuk lexova gjë…

Veritas.com.al/