Sipërmarrësit që u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare tashmë po heqin dorë nga bizneset e tyre, ose po bëhen zotërues pasivë të kuotave të tyre, pasi sipas ligjit për konfliktin e interesit ata nuk mund të jenë aktivë në aktivitetet private, raporton revista Monitor.

Cilët janë të parët:

Vullnet Sinaj, Ilir Ndraxhi, Agron Shehaj janë tre sipërmarrës të mëdhenj që katër vitet e ardhshme do të jenë deputetë, ndërsa emra të tjerë si Flamur Shehu (industria tekstile), Fuad Haxhiymeri (industria përpunuese), apo Agron Duka, ndonëse ishin në lista nuk  arritën të sigurojnë një vend në Kuvend.

Vullnet Sinaj, ideatori i një prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në vend, Big Market, në të gjithë rrjetin e supermarketeve të tij ka kaluar në zotërues pasiv të kuotave dhe Znj Elona Koshi (Budini) është zotëruese aktive e kuotave, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Sinaj ka deklaruar në një intervistë të mëparshme për Monitor se politika duhet të mësojë nga sipërmarrësit e suksesshëm prakticizmin në zgjidhjen e problemeve, organizimin, drejtimin dhe këmbënguljen deri në realizimin e plotë të detyrës. Sipërmarrësit, eksperienca e biznesit i ka mësuar të gjejnë zgjidhje për çdo situatë dhe janë të aftë ta luftojnë dhe zhdukin burokracinë. Sinaj e pranon që sipërmarrësit janë idealistë, se kështu e kanë nisur biznesin, me një ide, dhe idenë e tyre e kanë bërë realitet me punën e tyre të palodhur, me sakrifica pa kufi. “Biznesmenët e suksesshëm janë njerëz me ide. Po kështu, ata kanë ide për zhvillimin ekonomik të vendit, për ndryshimin e situatës, për të luftuar burokracinë e korrupsionin. Ne do mbështesim bizneset e zonave ku do të jenë, pasi jemi të bindur se zhvillimi i vendit do të vijë vetëm nëpërmjet zhvillimit të sektorit privat. Nuk mund të bësh biznese pa qenë i guximshëm. Biznesmenët e suksesshëm nuk kanë frikë, se po të trembeshin nuk do ta arrinin suksesin”, tha Sinaj, që tashmë është deputet i Partisë Socialiste.

Ilir Ndraxhi, vijon ende të zotëroje 72% të aksioneve të kompanisë së tij  I.A.M, por, ai në korrik është larguar si administrator. Kompania e tij ka aktivitet në fushën e plehrave kimike, duke u renditur mes 200 më të mëdhenjve (xhiro 1.8 miliardë lekë në 2016-n), ndërsa vetë Ndraxhi ka eksperience të gjatë në bujqësi. “Sektori i bujqësisë që ka një kontribut të madh në ekonominë e vendit, është i nënpërfaqësuar në politikë dhe çdo ditë e më shumë po vuan pasojat e mungesës së vëmendjes. Gjithë këto kohë dhe në ditët në vijim jam duke punuar për një program dedikuar sektorit të bujqësisë, për të cilin do të loboj shumë edhe në Parlament”, ka pohuar Ndraxhi, deputet i PS-së.

Agron Shehaj, sipërmarrësi kryesor në aktivitetin e call center është tashmë deputet aktiv i Partisë Demokratike. Përmes kompanisë Intercom Data Service, që ka rreth 3 mijë të punësuar, Shehaj i dha një dimension tjetër aktivitetit të call center në Shqipëri, që sot po punëson mijëra të rinj. Shehaj në shtator është larguar si administrator i shoqërisë, ndërsa Intercom Data Service është në pronësi të SESTANTE HOLDING S.R.L.

 

Shehaj ka pohuar se vendosi t’i futet politikës edhe për të kthyer mbrapsht një prirje të vjetër të saj. “Shndërrimin në biznesmenë të njerëzve të politikës. Të cilët e nisin si kandidatë, qofshin këta për deputetë, ministra apo kryetarë bashkish, dhe shndërrohen në biznesmenë. Unë dua të futem si biznesmen (i suksesshëm) dhe të veproj në politikë pa u bërë, domosdoshmërisht, politikan”.

Një sipërmarrës, thotë ai, mendon për vete, por edhe për të punësuarit e tij; ai nuk e harron kurrë se ka një lidhje organike mes punëdhënësit dhe punëmarrësve dhe, nëse kjo lidhje shkëputet, bie funksioni kryesor, që është suksesi dhe jeta e biznesit.

Veritas.com.al/