-E bllokuar deri atëherë nga anëtarët republikanë të Kongresit, shuma u derdh vetëm pak orë para betimit të Trumpit-.
Një tjetër shkelm turinjve për pasardhësin e tij? Agjencia amerikane e lajmeve, AP njoftoi dje, 24 janar se vetëm pak orë përpara se Donald Trump të betohej, administrata Obama zhbllokoi një fond prej 221 milion dollarësh me destinacion Autoritetin e Palestinës. Kjo shumë qe bllokuar deri atëherë nga anëtarët e Kongresit të partisë republikane.
Procesi u iniciua nga John Kerry të enjten më 19 janar, sipas zyrtarëve të shumtë anonimë. Dhe paratë u zhbllokuan “vetëm fare pak orë përpara se Donald Trumpi të bënte betimin”. Por nuk mbaron këtu, përveç 221 milionëve, administrata Obama zhbllokoi 4 milionë për programet e luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe 1,25 milion për shumë organizata të Kombeve të bashkuara, duke i dalë kësisoj kundër vullnetit të pasardhësit të tij i cili është shprehur se do ta ndalojë derdhjen e këtij tipi pagesash.
Deri atëherë, vetëm Izraeli kish përfituar favore nga administrata amerikane. Presidenti amerikan lejoi në shtator të 2016-ës çeljen e një ndihme ushtarake prej 38 miliard dollarësh për një periudhë dhjetë vjeçare për Izraelin, duke e bërë atë presidentin amerikan më bujarin historikisht ndaj shtetit hebre. Dhe në terren, vijoi pa ndërprerje kolonizimi izraelit i Jerusalemit Lindor dhe i Cisjordanisë, fundin e të cilit e kishte kërkuar vetë Obama në fund të vitit 2009, çka e çon çdo shtet hipotetik palestinez në kalendat greke. Që nga ardhja e Barack Obamës në Shtëpinë e Bardhë, numri i kolonëve izraelitë është rritur afërsisht në 100 000.
Ky lëvrim fondesh do të shkaktojë me shumë gjasa nervozizmin e administratës Trump, që ështè betuar të jetë mbështetëse besnike e Izraelit. Trumpi do të takohet madje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu muajin e ardhshëm në Uashington.
/Veritas.com.al/