Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka asnjë dyshim që operacioni për ndalimin e tre ish-drejtuesve të Policisë së Vlorës, të dyshuar si të implikuar në trafikun e narkotikëve me organizatën e Habilajve është dekonspiruar.
Këtë bindje ata e mbështesin me faktin se në momentin kur janë marrë vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në datë 21 nëntor, për ndalimin e tyre, Prokuroria kishte informacion të sigurt që ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefi i Postës Policore të Radhimës, Sokol Bode ndodheshin në Tiranë.
Madje, burime nga institucioni i akuzës thonë se diheshin edhe zonat ku ata qëndronin, ndërsa nga ora 10;30 e paradites së të mërkurës e në vazhdim, asnjë prej tyre nuk u gjet në zonat ku ishin parë një ditë para se të lëshoheshin urdhër-arrestet.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat për përjashtimin e tre efektivëve të kërkuar nga radhët e policisë, duke i hapur rrugë shpalljes së tyre në kërkim ndërkombëtar.
Pritet që Ministria e Brendshme të depozitojë edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dekonspirimin e operacionit për arrestimin e tre ish-drejtuesve të policisë lokale të Vlorës.
Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar me grupin e Habilajve në kultivimin dhe trafikimin e hashashit drejt Italisë.
Veritas.com.al/