Frrok Çupi
Ky, me mendje të mbrapsht, që po lexon këtë titull, me siguri po tërbon për shkak të “patriotizmit” personal dhe po thotë se e gjeti shkakun që të sulet kundër idesë “Jug e Veri”. Epo, në fund të fundit, u dashkan thyer tabutë e rreme, si kjo “Jug e Veri”, me qëllim që t’i hapet rrugë analizës reale e të sinqertë me veten. Se këta që thonë dhe kanë thënë se “nuk ka jug e veri”, e kanë bukosur të vërtetën me anë të frikës së patriotizmit të rremë. Këta që kanë thënë, njësoj si diktatori Hoxha, se “nuk ka jug e veri”, në fakt e kanë ngritur tabunë me qëllim që të përdorin njërën pjesë kundër tjetrës, por fshehurazi, nën hijen e idesë fikse “jemi nje”..
Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është as dallimi, as kundërvënia e njërës pjesë kundër tjetrës; as ndonjë çështje polemizuese mbi antropologjinë e kombit nga jugu në veri. Realisht është një koment “briefly” mbi opozitën e Kosovës (që ndodhet në veriun e Tiranës e të shtetit shqiptar) dhe kërkesën që këtu në Tiranë të mund të kemi një opozitë aq të qartë. Opozita parlamentare e Kosovës ka paraqitur idenë e saj, ka krijuar impaktin e popullit me idenë, ka përcaktuar mjetet e realizimit të idesë dhe është e vendosur për realizmin e qëllimit. Pas kësaj, opozita e Kosovës nuk po tundet nga pozitat e saj dhe po lufton në Kuvend, pavarësisht prej masave shtetërore të maxhorancës kundër opozitës.
A mund të kontestohet, vallë, ndonjë prej elementeve të aksionit të opozitës, me këtë rast!?
Sigurisht që po. Sigurisht që nuk do të pajtohesha me mjetin gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit. Opozita është opozitë edhe pse është e kontestueshme. Por kur shikoj që mijëra qytetarë i bashkohen opozitës edhe kur kjo përdor mjete ekstreme, më krijon idenë se aty populli shikon që qeveria e ka bërë “baltë”; dhe, përballë të keqes së qeverisë mjeti ekstrem i luftës së opozitës është një gjë edhe e tolerueshme.
Sidoqoftë. Çfarë e bën opozitën kosovare të admirueshme, është ideja e qartë, është guximi i saj për ta separatuar veten prej mëkateve të qeveritarëve, është “pika e shiut” ku opozita rreh përditë derisa të bëjë gjurmën e saj, dmth., derisa të largojë qeverinë e korruptuar deri në palcë. Ja kjo është pika që mund të quhet model.
Për këtë arsye thashë që në fillim se “opozita vjen nga Veriu”.
Domethënë që Tiranës i nevojitet një opozitë e fortë, e qartë, e vendosur, një si ” pika e shiut” në Kosovë. Aq më tepër që qeveria e Shqipërisë ka humbur thuajse tërësisht bësimin te populli i qeverisur prej saj. Sipas një sondazhi të kryer nga një portal i njohur këtu, mbi 91 përqind e qytetarëve nuk besojnë më te qeveria. ( Në këtë sondazh janë pyetur njerëzit nëse e besojnë maxhorancën aktuale se mund ta kryejë dekriminalizmin e politikës; dhe, prej kësaj ka dalë shifra mbi 91 përqind që nuk besojnë). Që në këtë çast qeveria nuk ekziston më, por kërkonet një mjet për ta shpallur vendimin popullor… Epo, opozita këtu nuk është si ajo e Kosovës. Edhe vetë zërat qeveritarë po thonë përditë se “opozita jonë është e dobët ose nuk ekziston”.Vetë everia, padashur, kërkon opozitë të fortë…
… Ja pra, këto ishin arsyet pse thashë se opozita vjen nga veriu. Domethënë vjen, edhe një herë, modeli se si bëhet oponenca kundër një qeverie të korruptuar. Bëhet opozitë e qartë, e fortë, me ide, me impakt popullor, me dobi për vendin.
Në vitet 90 kur shqiptarët u ngritën kundër regjimit të diktaturës komuniste, në fakt modeli i opozitës erdhi nga Kosova, dmth., nga veriu. Në Kosovë kishte nisur një letërsi më e lirë, një art më liberal, një ide më e qartë opozitarizmi. Ne këtu guxuam prej asaj lloj opozite; dhe më vonë natyrisht i hymë modelit europianist perëndimor. Por që andej erdhën modelet e para. Domethënë nga Veriu ynë.
Por edhe sikur njeriu me mendje të mbrapshtë ta ketë për kënaqësi që të interpretojë djallëzisht “ndarjen jug e veri”, atëherë le ta interpretojë. Sepse ideja e opozitës kundër komunizmit ishte më e fortë në Veri të vendit. Të gjithë qytetarët e zonave të tjera, jug ose jo jug, e pranuan dhe e mbështetën këtë të vërtetë dhe këtë pasuri, njëkohësisht. Diktatura komuniste u shëmb me dorën e të gjithëve, jo vetëm të veriut. Por të gjithë e dinin se njerëzit në veri ishin dhunuar e diskriminuar më shumë, e dinë se sa ishin masakruar jezuitët katolikë, poetët, filozofët, intelektualët, atdhetarët në veri. Natyrisht që aty do të kishte edhe oponencë më të fortë, siç edhe kishte.
Pra nga veriu. Askush nuk ka pse të ngurojë ta thotë të vërtetën që nuk e lejon tabuja “nuk ka jug e veri”. Tabuja e thanë dhe e çvesh vlerën dhe pasurinë e një kombi, i cili ka edhe jug, ka edhe veri, ka edhe etnografi e antropologji me diferenca, ka edhe qëndrime të ndryshme ndaj të të njëjtës qeveri ose politikë.
Tabuja e njeriut që thotë, njësoj si diktatura, se “nuk ka jug e veri” më detyroi të zgjatem me shpjegimin.
Por po kaq e guximshme do t’i duket njeriut të tabusë edhe kjo që po them më poshtë: Edhe sot e kësaj dite, opozita më e fortë po vjen nga Veriu. Jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Veriu i vendit. Pse? Prapë e njëjta përgjigje: Sepse mes qeverisë majtise ( ish komuniste) dhe popullit të veriut, ka përsëri një shtresë akulli. Qeveria majtiste përsëri nuk e ka qejf veriun dhe e lë menjënanë. Me këtë rast qeveria është duke krijuar edhe disbalanca dhe nënvlerësime për Veriun. Dje, përshembull, kryeministri iu drejtua Beratit për të mbajtur fjalimin e tij ku kërcënonte opozitën. Opozitën e kërcënoi duke i thënë se “do të shikojmë cili ka më shumë kriminelë, ju apo unë”. Mendoni një kryeministër që bën gara me kriminelë, çfarë shërbimi i bën popullit të vet në tërësi!? Kryeministri i vendit e pjesëton gjithçka: Krimin, vlerën apo mosvlerën, pluralizmin, kërcënimin dhe vetë kombin. Dje zgjodhi Beratin për të kërcënuar opozitën që qëndron më shumë në veri. Qyeteti i Beratit u zgjodh me qëllim. Ky është qyteti ku u krijua qeveri e parë komuniste, ky është një qyetet që kryeministri e përdor si bastion “meteist” për t’i bërë karshillëk Lezhës dhe Kukësit ( veri) që nuk votuan aleatin Meta.
… Sidoqoftë, ishte fjala për opozitën e Kosovës-veri, që me modelin e saj flet më shumë për Opozitën se për qeverinë tonë.