Pas pretendimit të ngritur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë se u janë bllokuar pagesat për muajin gusht ministria e financave ka sqaruar për ABC News se i gjithë ngërci është krijuar pasi këto institucione kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht mbi një metodologji të ndryshme nga ajo që është aktualisht në fuqi.
Në një letër drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së, ministri i financave Petrit Malaj kërkon që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e muajit gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik, pasi ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Ministria e Financave, as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhëra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar”, thuhet në reagim.
Sipas ministrisë së financave Fakti që pagat e institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë janë ekzekutuar normalisht dëshmon se nuk ka asnjë bllokim të pagave për institucionet e drejtësisë . SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe institucione të tjera kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht sipas metodologjisë ekzistuese dhe pagesat e tyre janë kryer rregullisht.
Në letër sqarohet se Ministria e Financave nuk e vë në diskutim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se pas miratimit nga Kuvendi të ndryshimeve ligjore përkatëse, do të marrë menjëherë të gjitha masat për zbatimin e tyre, duke siguruar edhe burimet financiare për çdo diferencë page që do të rezultojë e detyrueshme, përfshirë efektet për periudhat e mëparshme.
Komente