TIRANË– Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar lidhur me debatin për sistemin e pagave të magjistratëve, duke kërkuar një tryezë të përbashkët mes institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë.
Ai shprehet se drejtuesit e dy këshillave të sistemit gjyqësor dhe drejtuesit e institucioneve të drejtësisë duhet t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për diskutime, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë për pagat e magjistratëve.
Sipas kryeministrit, në diskutime mund të përfshihen edhe ekspertë të Këshillit të Europës, si dhe të kontribuojë Komisioni Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Rama thekson se synimi duhet të jetë ruajtja e trajtimit financiar të magjistratëve, por njëkohësisht edhe garantimi i “ekuilibrit të përgjithshëm të piramidës shtetërore të pagave”. Në reagimin e tij, kryeministri vë në dukje gjithashtu rritjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe nivelin e pagave të magjistratëve. Ai argumenton se këto ndryshime kanë ardhur edhe si rezultat i vullnetit të shumicës qeverisëse.
Kryeministri e mbyll reagimin duke bërë thirrje për dialog institucional dhe duke theksuar se mosdakordësitë mes pushteteve duhet të trajtohen me “urtësi dhe durim”, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë.
“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave. Tryeza jonë do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk do konflikt me gjyqësorin po bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë. E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”, shkruan Rama në rrjetin social “X”.
Me 84 vota pro, 23 kundër dhe një abstenim, maxhoranca parlamentare miratoi në Kuvend projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i propozuar nga Partia Socialiste.
Projektligji ligji i miratuar në Kuvend parashikon një formulë përllogaritëse me rritje prej 2% të pagës referuese. Ky prag është ndjeshëm më i ulët se përllogaritja e bërë më parë nga organet e sistemit të drejtësisë mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji i miratuar nga Kuvendi u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndërsa ka hyrë në fuqi menjëherë.
Komente