Pajisja përgjuese “IMSI Catcher”, për të cilën Prokuroria ka nisur hetimet, dyshohet se është dërguar në zonën e Semanit pak javë më parë, pas raportimeve për një avion me drogë në atë zonë.
Prokuroria e Tiranës, e cila deri tani ka vendosur nën akuzë tre zyrtarë të Policisë së Shtetit, me akuzën shpërdorim detyre, ka zbardhur të dhëna që tregojnë se pajisja e përgjimit është çuar të paktën një ditë në zonën ku ishte raportuar për fluturimin e një avioni të vogël në Seman.
Dyshohet se të pranishëm kanë qenë policë shqiptarë dhe punonjës të “Interforce”. Dërgimi i pajisjes në zonën e Semanit mësohet se është pranuar se ka ndodhur edhe nga efektivë të policisë shqiptare, që janë pyetur si persona me dijeni për çështjen e “IMSI Catcher”, raporton “Panorama”
Pavarësisht këtij fakti, nuk është e qartë nëse pajisja përgjuese është dërguar në zonën e Semanit për arsye hetimore, pra për të skanuar IMEI-t në zonë vërtet apo për arsye trajnimi. Zyrtarët e akuzës thanë se po hetojnë të dyja variantet, pra mundësinë që pajisja të jetë përdorur për përgjime në lidhje me çështjen e avionit, por edhe mundësinë që në situatën e dhënë, pajisja të jetë përdorur për trajnim me qëllim lokalizimin e personave të dyshuar në zonë.
Në të dyja rastet, sipas Prokurorisë, ka dyshime se pajisja është përdorur me kapacitetin e saj skanues të celularëve dhe me programe përgjuese. Më 21- 22 maj 2016, disa qytetarë raportuan se kishin parë avionë të vegjël sportivë në zonën e Semanit. Raportimet u shoqëruan edhe me disa foto të avionëve, për të cilët u tha se ishin ulur në zonën e Semanit. Policia i hodhi poshtë këto raportime dhe tha se atë ditë në itinerare që përfshijnë Semanin kanë fluturuar tre avionë sportivë, me leje, për qëllime turistike.