Një ditë pasi prezantoi Paketën e Rezistencës Sociale me 7 pika për t’iu gjendur pranë qytetarëve për rritjen e çmimeve, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim në dy biznese për të informuar punonjës në sektorë të ndryshëm për këtë paketë, ndërhyrjet e qeverisë dhe efektet e krizës ndërkombëtare në ekonomi.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri informoi se Paketa e Rezistencës Sociale parashikon ndër të tjera, që qeveria të afrojë me dy muaj, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra. Gjithashtu do të shtohen 20 miliardë lekë të rinj ose 200 milionë USD për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.

Rama ka ritheksuar edhe njëherë se çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël nuk do të rritet, por do të paguhet nga shteti, ndërsa bëri me dije se do të shtohen edhe 20 miliardë lekë të reja për financimin. Ai theksoi se deri në fund të vitit qeveria do të paguajë 650 mln euro për faturat e energjisë për familjet dhe për bizneset.

Kreu i qeverisë, zbuloi po ashtu se po negociohet me Serbinë për një sasi gruri të kontraktuar më herët nga kompanitë shqiptare, para se Serbia të bllokonte eksportet për të ruajtur popullin e saj nga kriza. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur çmimi i miellit është rritur në vend për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Sa i takon protestës për rritjen e çmimeve, Rama tha se nuk do të ketë ulje të çmimit të naftës, për ato që duan të furnizojnë Fuoristradat apo X5 për të bllokuar rrugët, në këtë kohë lufte, ndërsa e gjithë bota del për tu solidarizuar me Ukrainën. Kryeministri ishte i shoqëruar në këto dy takime, nga ministrja e Energjitikës dhe Infraskturës Belinda Balluku si dhe nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.