ABC News ka siguruar videon nga momenti i arrestimit të Jamarbër Malltezit mbrëmjen e së shtunës në aeroportin e Rinasit. Në video shihet Malltezi teksa shoqërohet nga disa policë që janë pa uniforma. Ai u arrestua si i përfshirë në aferën për privatizimin dhe shitjen e pronave në kompleksin ‘Partizani’.

Edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, gjykata miratoi kërkesën e SPAK, duke caktuar ndaj tij masën e detyrimit për t’u paraqitur në prokurori dhe bllokim të pasaportës për mos dalë jashtë shtetit. Sipas SPAK, Berisha akuzohet se ka ndryshuar ligjet dhe ushtruar presion për të vepruar në favor të dhëndrit të tij.

Sipas SPAK, Malltezi ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:

– Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.

– Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.

– Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.