Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka zhvilluar këtë të premte një takim me kreun e BDI-së Ali Ahmetin, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në tubimin pro Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e Ahmetit si një ndër themeluesit e UÇK-së, ndërsa theksoi se tubimi i sotëm krah veteranëve në Tiranë dëshmon mbështetjen unanime të shqiptarëve ndaj luftës së drejtë për çlirimin e Kosovës.

“UÇK-ja bën krenar çdo shqiptar. Ajo është pjesë thelbësore e historisë sonë, sepse bëri një luftë të drejtë ndaj padrejtësisë shekullore”, vlerësoi Begaj, i cili theksoi se UÇK-ja ka pasur gjithmonë mbështetjen e aleatëve tanë, pasi ka qenë një organizëm çlirues dhe jo okupues.

Gjatë bisedës me Ahmetin është diskutuar edhe për faktorin shqiptar në rajon. Presidenti Begaj u shpreh për bashkëpunimin mes njëri-tjetrit dhe unitetin për çështjet që lidhen me identitetin kombëtar, paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin Euroatlantik të tij.

Kreu i Shtetit garantoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj faktorit politik shqiptar në rajon dhe përpjekjeve për të siguruar ndaj qytetarëve një jetesë sa më të mirë.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *