Nga Vladimir Muçaj

Në bulevardin Saint-Michel të Parisit, nën hijen e pemëve që kanë parë të lindin shumë prej ideve të mëdha të qytetërimit evropian, u vendos dje një pllakë përkujtimore për Ismail Kadarenë. Një pllakë, një gur i thjeshtë në dukje, por që mban peshën e një bote të tërë: kujtesën e një njeriu që e bëri fjalën shqiptare të dëgjohet në gjuhën e letërsisë universale.

Në atë adresë, 63 boulevard Saint-Michel, Kadare jetoi dhe shkroi disa prej veprave që ndërtuan figurën e tij si ndërgjegjja më e ndritshme e kombit shqiptar në shekullin XX. Ishte aty, në mes të një qyteti që i dha strehë dhe liri, ku ai vazhdoi të jetë më shqiptar se kurrë. Ai e mori me vete gjuhën, kujtesën, mitet dhe plagët e këtij vendi, dhe i bëri ato të flasin në gjuhën e botës.

Parisi e ka pasur këtë aftësi të rrallë: të njohë shpejt se cilët janë njerëzit që i përkasin përjetësisë. Dhe kësaj here, qyteti i dritës vendosi të përkujtërojë një njeri që i dha dritë një gjuhe të vogël, por të thellë në shpirt. Vendimi unanim i Këshillit Bashkiak të Parisit nuk është thjesht një akt protokollar. Është një nderim për një mendje që dinte të përkthente dhimbjen në art, heshtjen në fjalë, dhe vetminë në universalitet.

Kadare ishte dhe mbetet një ndërgjegjje evropiane e farkëtuar në tokën shqiptare. Ai e kuptoi dhe e tha shumë përpara të tjerëve se shqiptarët janë një popull i Evropës, jo vetëm gjeografikisht, por shpirtërisht e historikisht. Në veprën e tij, Evropa nuk është një ëndërr për t’u arritur, por një atdhe për t’u rikujtuar. Ai e pa qytetërimin evropian jo si një privilegj, por si një detyrim moral ndaj vetvetes — një pasqyrë ku Shqipëria duhej të shihte fytyrën e saj të vërtetë.

Në çdo rresht të Kadaresë ndjen një Shqipëri që ecën mes dritës dhe hijes, mes kujtesës dhe harresës, mes Lindjes që e la prapa dhe Perëndimit që e priti. Ai e përshkroi kombin tonë jo me patetizëm, por me dhembje e krenari të ndjeshme. Për këtë arsye, nderimi i Parisit nuk është thjesht për një shkrimtar, por për një popull që më në fund po sheh veten të respektuar përmes fjalës së tij më të madhe.

Nuk janë të rralla rastet kur bota e jashtme na kujton se kush jemi. E ndoshta ky është një prej atyre momenteve të rralla. Në pllakën e Saint-Michel nuk është vetëm emri i Kadaresë. Është edhe historia jonë që më në fund del nga kufijtë e saj të ngushtë dhe merr frymë në sheshet e qytetërimit.

Kadare i dha letërsisë botërore një gjuhë që nuk e njihte, por e kuptoi menjëherë. Ai e ngriti Shqipërinë në sferën e artit ku nuk ka as politika, as kufij. Dhe Parisi, me atë elegancën e tij të heshtur, e njohu këtë të vërtetë: letërsia e madhe nuk ka kombësi, por çdo komb i madh e njeh letërsinë që e nderon.

Faleminderit Parisit dhe Francës që nderuan një shqiptar, dhe përmes tij, nderuan shpirtin tonë të përbashkët evropian.!
Në fund të fundit, siç do të kishte thënë vetë Kadare: “Nuk janë vetëm shkrimtarët që bëjnë të pavdekshëm popujt e tyre. Nganjëherë, janë popujt që përmes kujtesës, e bëjnë të pavdekshëm shkrimtarin.”

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *