Ambasada shqiptare në Athinë ka sqaruar vendimin e autoriteteve greke lidhur me lëvizjen e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe janë në pritje të lejes së qëndrimit deri në 31 dhjetor 2024.

Të gjithë ata që janë në proces aplikimi për paisje/ripaisje me leje qëndrimi dhe që posedojnë vërtetimin përkatës në Republikën e Greqisë mund të hyjnë e dalin lirshëm nga 31 marsi por duhet të disponojnë vërtetimin e vlefshëm të aplikimit për pajisje për herë të parë ose ripajisje me leje qëndrimi.

Reagimi i ambasadës shqiptare:

✅ Pas komunikimeve të vazhdueshme të Ambasadës Shqiptare në Athinë me institucionet kompetente Greke, ju bëjmë me dije se:

Me Vendimin Nr. 4000/3/98-ib, publikuar në Fletoren Zyrtare të Qeverisë së Republikës Greke, sot, në datën 19 mars 2024, mbi “Daljen dhe rihyrjen e shtetasve të huaj të vendeve të treta me leje qëndrimi, afati i vlefshmërisë së të cilave ka përfunduar dhe të shtetasve të huaj të vendeve të treta që kanë aplikuar për pajisje me leje qëndrimi”, përcaktohet se:

Gjatë periudhës  31-03-2024 deri më 31-12-2024, lejohet dalja në një vend të tretë, jashtë shteteve anëtare të shengenit, dhe rihyrja e shtetasve të vendeve të treta që banojnë ligjërisht në Greqi, mbajtës të:

-Një vërtetimi të vlefshëm aplikimi për pajisje për herë të parë ose ripajisje me leje qëndrimi, sipas neneve 10 dhe 11 të ligjit nr. 5038/2023 ose

-Një vërtetimi të vlefshëm të posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, sipas nenit 16 të ligjit nr. 5038/2023, me kusht që të dalin nga Greqia brenda periudhës së sipërpërmendur dhe të posedojnë pasaportë të vlefshme ose dokument tjetër udhëtimi të njohur nga Greqia.

✔️ Nga ky Vendim përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që janë në proces aplikimi për pajisje/ripajisje me leje qëndrimi dhe që posedojnë vërtetimin përkatës.