PD ‘shkërmoqet’ edhe në strukturat bazë në Korçë! Pas largimit të ish kreut të PD dega Korçë, Andrea Mano dhe 14 anëtarë të Kryesisë së kësaj dege, sot kanë dhënë dorëheqjen edhe 51 drejtues të strukturave të degëve.
51 Kryetarë, Sekretarë dhe Kordinatore të Lidhjes Demokratike të Gruas kanë dhënë dorëheqjen pas largimit më 27 korrik të Manos dhe anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike Korçë. Të larguarit shprehen se kreu i PD-së, Lulzim Basha po e kthen partinë në klienteliste dhe në funksion të interesave të tij personale duke hedhur poshtë të gjitha sakrificat e tyre që kanë bërë ndër vite për partinë.
Pas dorëheqjes nga postet e tyre, 51 drejtues Seksionesh dhe Lidhjes Demokratike të Gruas do të jenë vetëm anëtarë të Partisë Demokratike Korçë.
“Të nderuar demokratë dhe demokrate!
Ne si, Kryetarë, Sekretarë dhe Kordinatore të Lidhjes Demokratike të Gruas, solidarizohemi me dorëheqjen e anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike Korçë dhe kemi vendosur të japim dorëheqjen nga funksionet tona drejtuese. Gjykojmë që, lideri aktual i saj, po tenton me arrogancën e tij, ta kthejë Partinë Demokratike në një parti klienteliste në funksion të interesave të tij personale. Me veprimet e tij mendojmë se z. Basha ka hedhur poshtë të gjithë mundin dhe sakrificat tona në opozitën më të vështirë në historinë e Partisë Demokratike.
Të ndodhur në këto kushte 51 Drejtues Seksionesh dhe Lidhjes Demokratike të Gruas e gjejmë të pamundur të ushtrojmë funksionet tona drejtuese. Nga ky moment, ne mbetemi vetëm anëtarë të Partisë Demokratike Korçë”, tha Leonard Trebicka, ish anëtarë i kryesisë.
Në 27 korrik në PD-në e Korçës dhanë dorëheqjen Ish kryetari i kësaj dege, Andrea Mano, Sekretari i Përgjithshëm, Devis Osmani dhe 13 anëtarë të Kryesisë, të cilët gjithashtu hodhën akuza ndaj Bashës pasi e ktheu PD-në në një parti ku mbizotëron arroganca, shpërfillja, nepotizmi dhe papërgjegjshmëria e lidershipit.