Partia Demokratike ka denoncuar sot se janë të paktën 4 deputetë të maxhorancës që përfitojnë para publike nëpërmjet kompanive të tyre, në shumicën dërrmuese të rasteve pa garë. Ilir Beqaj është njeriu më i afërt i Edi Ramës, i cili, edhe pse nuk është më ministër vazhdon të marrë me qindra milionë lekë nga taksat e shqiptarëve, sipas PD.
Rasti më i fundit është ai i shpalljes fituese të kompanisë “Intech+”, e zotëruar de facto prej Beqajt. Në një tender pa asnjë konkurrent, shoqëria e ish ministrit që rrënoi shëndetësinë, u shpall fituese për 1 mld e 362 mln lekë ose 1,1 mln euro, duke pasur ofertë gati të njëjtë me fondin limit, pa i kursyer buxhetit gati asnjë qindarkë.
1.1 milionë euro, të fituara së fundmi nga taksat e rritura të shqiptarëve, i shtohen pasurisë së Ilir Beqjes, i cili, që kur Rama është bërë kryeministër, ka përfituar tenderë me vlerë 29 milionë euro. Ilir Beqja nuk është i vetëm në listën e deputetëve të Edi Ramës që pasurohen me paratë e shqiptarëve.
Prej kohës kur Edi Rama është kryeministër, Sadri Abazi ka fituar tenderë me vlerë 34 milionë euro nga paratë publike. Media raportoi pak kohë më parë se në shumë prej tenderëve, kompania ka paraqitur dokumentacion fallco, por nga prokuroria, nën kontrollin e Edi Ramës, nuk ka asnjë reagim.
2 deputetët e tjerë të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, kanë përfituar secili nga tenderët publikë prej 8.1 dhe 7 milionë euro. Këta të 4 deputetë të Edi Ramës, Ilir Beqja, Sadri Abazi, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu kanë përfituar së bashku 78 milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve, të cilëve ata u kanë rritur çdo vit taksat në parlament, denoncoi PD.