Partia Demokratike i ka dërguar prokurorisë të dhënat që ajo publikoi një ditë më parë për dënimin e Valdrin Pjetrit për trafik droge në Itali.
Sipas PD, “në një letër të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, vihet në dukje se 13 ditë pas kërkesës së PD për verifikimin e Pjetrit sipas ligjit të dekriminalizimit, nga prokuroria nuk ka patur një reagim institucional të shpejtë”.
“Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit.” – thuhet në komunikimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD me Prokurorinë e Përgjithshme.
“Sipas këtyre të dhënave rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.”- shkruan zoti Bardhi.
PD i kërkon organit të akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi.
“Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
VERITAS.COM.AL/