“PD disponon fakte të reja, që provojnë se Orest Sota ka penguar drejtësinë, duke mos thënë të vërtetën për pronësinë e 863 mijë eurove, të kapura në makinën e përdorur prej tij bashkë me patentat e Saimir Tahirit. Versioni i tij, se me 863 mijë euro do të blinte hekur tek Kurum është një mashtrim për të mos treguar, se paratë ashtu si patentat, i përkasin Saimir Tahirit- ka deklaruar sot deputeti Enkelejd Alibeaj nga selia e PD:

Versioni i biznesmenit Sota se me 863 mijë euro do të blinte hekur tek Kurum është një mashtrim për të mos treguar, se paratë ashtu si patentat, i përkasin Saimir Tahirit, tha deputeti.

Partia Demokratike disponon dokumentet e gjykatës të qershorit 2017  se administratori i Kurum-it, Jusuf Kurum, e kishte të ndaluar çdo transaksion cash apo nëpërmjet bankës për shkak të procedurave të falimentit të kompanisë.

Sipas dokumentit të depozituar më 3 Gusht 2017 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, çdo transaksion mbi 20 milionë lekë i administratorit Jusuf Kurum do të ishte i pavlefshëm. Kjo do të thotë se Orest Sota e kishte të pamundur të bënte biznes me Kurum, me shifrën e 863 mijë eurove, pak më shumë se 1 milionë dollarë.

Partia Demokratike nuk ka patur dyshim, që prej fillimit, se paratë i përkasin Saimir Tahirit, i cili po vazhdon përpjekjet për të fshehur provat që e akuzojnë për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Ne dyshojmë se këtë qëllim ka patur edhe udhëtimi i tij i mistershëm në Gjermani. Faktet e publikuara në media, provojnë se versioni i hedhur prej Tahirit, se po i qëndronte afër të atit për arsye shëndetësore, nuk qëndron. Babai i Saimir Tahirit, ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria, përpara largimit të Saimir Tahirit në Gjermani” deklaroi deputeti i PD.

Veritas.com.al/