KOMENT/

Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbledhë sot më 15 nëntor, Kryesinë e saj.

Lajmi është bërë i ditur nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i cili përmes një mesazhi ka njoftuar demokratët për mbledhjen.

Në rend ditë do të jetë situata politike e kësaj partie.

Bardhi në mesazhin e tij ka paralajmëruar marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj.

“Diskutime dhe vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”, shkruhet aty.

Mbledhja do të zhvillohet në sallën e mbledhjeve të Grupit, Kati i II, Selia Qendrore e PDSH.

Situata në Partinë Demokratike ka agravuar, në një kohe që  ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë depozituar në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Palokës, 4 mijë e 200 firma për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

(Basha dhe Bardhi në deklaratat e tyre e kanë cilësuar një nismë të tillë si shkelje të statutit).

Kryedemokrati ka theksuar faktin se Berisha nuk ka mbledhur ¼-ën e firmave, për të vënë në lëvizje mekanizmin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Sipas tij, nëse do të ishin mbledhur firmat, Berisha do t’i kishte dorëzuar sipas statutit të PD-së.

Më herët për sa i përket “përçarjes” Berisha-Basha, ky i fundit ka deklaruar se, “unë kam pasur një perde përpara syve kur shihja atë dhe sot nuk e kam më”.

E gjitha kjo erdhi pas vendimit të SHBA-ve, e cila e shapi Berishën dhe familjen e tij si persona non-grata.

Kjo e fundit solli dhe përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, nga vetë Basha.

Pikërisht këtu nisi dhe përplasja mes tyre. Berisha ka thirrur mbledhjen e  Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor për “rrëzimin e vendimit të Bashës mbi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në PD”.

Data 11 dhjetor “do të vendosë” fatin e ndarjes Berisha-Basha dhe PD-së./ap/