Partia Demokratike përmes sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka publikuar dokumentet për arrestimin në Greqi të Agim Kajmakut, kryebashkiakut të Vorës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Gjatë deklaratës në selinë e PD, Bardhi tha se Kajmaku bënte biznes fidanësh me para të falsifikuara, krim i cili dënohet më 10 vjet burg.
“Duke qenë se Prokuroria po e zvarrit çështjen, njësoj siç bëri me Valdrin Pjetrin, për të cilin akoma nuk ka një përgjigje zyrtare, Partia Demokratike po sjell prova autentike të dosjes penale të kandidatit të Edi Ramës për Bashkinë Vorë.
Ky që shikoni këtu është vendimi i Prokurorisë dhe i Gjykatës së Janinës, i Qershorit 2003”, shprehet Bardhi.
Ai tha se vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar për shkak të arratisjes së tij në Shqipëri.
“Dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto.
Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim.
Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për falsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim”, tha Bardhi.
Sipas tij, vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri.
“Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, përdoruesi i parave të falsifikuara në kërkim në Greqi, në Agim Kajmaku, biznesmeni i duhur për politikën kriminale të Edi Ramës”, shprehet ndër të tjera Bardhi.
Veritas.com.al/