Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka kërkuar nga Kryeministri Edi Rama që të japë llogari për shumën prej 80 mijë Dollarë që mundësoi foton e tij me Presidentin e SHBA Barack Obama.
Në një deklaratë për mediat ai tha:
“Prej një jave Edi Rama gjendet nën akuzë se ka financuar një krim federal në Amerikë, dhe nuk jep asnjë shpjegim.
Bilal Shehu, taksisti i New Jersey e ka pranuar se 80 mijë dollarëshi që ka paguar në fushatën e Obamës, për ti mundësuar Ramës një takim dhe një foto me presidentin amerikan, i ka ardhur nga jashtë. Nga një burim i huaj. Nga Shqipëria.
Edi Rama është nën detyrim të bëjë transparencë, se nga dolën këto para. Kush është burimi i tyre?
Dyshimet janë për para droge ose aktiviteti kriminal, cka e rëndon edhe më shumë pozitën e Edi Ramës në këtë skandal.
Nëse ato janë para droge dhe trafiqesh, paratë e atyre trafikantëve me të cilët Rama erdhi në pushtet, kemi të bëjmë me një krim edhe më të madh, dhe çështja duhet zbardhur sa më shpejt.
Edi Rama është përfituesi i drejtpërdrejtë i 80 mijë dollarëshit që u pagua nga një burim i huaj.
Dhe është ai që duhet të përgjigjet:
Nga vijnë këto para?
Kush (cili- red) është burimi?
Kush është pagatori, kush është ky donator i Edi Ramës?
A janë para të ligjshme, apo të aktiviteteve kriminale?”
… Kjo ishte paraqitja publike e PD sot në mëngjes