PD gjatë pranisë së ndërmjetësuesve europianë në Tiranë ditën e Martë, ‘nuk pranoi propozimet’ e tyre dhe se ‘nuk paraqiti’ kundërpropozime apo ofertë tjetër. Kështu citohet të ketë thënë Romana Vlahutin, ambasadore e BE në Tiranë. Dëshminë e sollën aleatët e PD që u thërritën në takim me Treshën e ambasadorëve.
Partia Demokratike në një qëndrim zyrtar shpreh keqardhje për këtë veprim të Vlahutin, të cilin e cilëson si ‘shtrembërim të të vërtetës’ dhe ‘fshehje e fakteve’.
Në reagimin e PD-së thuhet se opozita ka bërë 3 propozime pas ofertës së Ramës për zëvendësimin e 4 ministrave me persona teknikë.
Partia Demokratike deklaron se qëndrime të tilla ‘qartazi të njëanshme dhe dezinformuese’ nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.
“Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.” – thuhet në reagim.
/Veritas.com.al/