Operatori i filmave shqiptarë dhe dokumentarëve, Pëllumb Kallfa, është ndarë sot nga jeta në moshën 77-vjeçare.
Lajmin e hidhur e ka njoftuar Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Pëllumb Kallfa mban titullin e nderit “Artist i merituar”.
Ai i njohur ka lindur në Tiranë më 28 gusht të vitit 1945. Kallfa mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës dhe filloi punë si operator në vitin 1971.
Si një nga profesionistët më të mirë të kamerës, që ka punuar në Kinostudion “Shqipëria e re” me xhirimin e filmave artistikë, dokumentarë dhe kronikalë.
Kallfa punoi krahas regjisorëve më të mirë shqiptarë si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Piro Milkani, etj.
Disa nga filmat artistikë që kaluan nëpërmjet syrit të kamerës së Pëllumb Kallfës, janë: “Lulëkuqet mbi mure” (Dh. Anagnosti, 1976), “Gjeneral gramafoni” – nderuar me çmimin (V. Gjika, 1978), “Një vonesë e vogël” (Xh. Keko, 1982), “Vendimi” (K. Dhamo, 1984), “Përrallë nga e kaluara” (Dh. Anagnosti, 1987), “Pranvera s’erdhi vetëm” (P.Milkani, 1988), “Vitet e pritjes” (E. Musliu, 1989), etj.