
Pentagoni Amerikan ka deklaruar se sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore të Iranit, të kryera në 22 qershor , kanë vonuar përparimin e programit bërthamor iranian deri në dy vite.Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi gjatë një konference për shtyp se “programi i tyre është degraduar nga një deri në dy vjet, sipas vlerësimeve të brendshme të Departamentit të Mbrojtjes.” Ai shtoi se vlerësimi zyrtar është “ndoshta më afër dy viteve”, por nuk paraqiti prova të detajuara për ta mbështetur këtë pohim. Sulmet ajrore u zhvilluan më 22 qershor, ku bombardues amerikanë goditën tre objekte bërthamore iraniane duke përdorur mbi 10 bomba të tipit bunker-buster, secila me peshë 13,600 kilogramë, si dhe mbi 24 raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi menjëherë pas sulmeve se programi bërthamor i Iranit ishte “shkatërruar plotësisht”, një deklaratë që u përforcua edhe nga Parnell gjatë deklaratës së tij të fundit. Megjithatë, agjencitë e inteligjencës zakonisht kërkojnë javë për të përpunuar dhe verifikuar pasojat e tilla ushtarake. “Gjithë inteligjenca që kemi parë deri tani na bën të besojmë se ato objekte – veçanërisht ato – janë shkatërruar plotësisht,” u shpreh Parnell. Megjithatë, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, paralajmëroi gjatë fundjavës se Irani mund të rifillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar brenda pak muajsh, duke ngritur dyshime për efektivitetin e goditjeve amerikane.
Ekspertë të pavarur kanë shprehur shqetësime se Irani mund të ketë zhvendosur sasi të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë nga kompleksi i Fordow para sulmeve dhe ndoshta e ka fshehur atë diku tjetër. Megjithatë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha javën e kaluar se nuk ka informacion se Teherani e ka zhvendosur uraniumin e pasuruar për ta mbrojtur nga sulmet.
Vlerësimi paraprak i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) sugjeronte se dëmi i shkaktuar mund të ketë vonuar programin iranian vetëm për disa muaj. Por zyrtarë të administratës Trump e kanë hedhur poshtë këtë si një vlerësim me “besueshmëri të ulët”, duke u mbështetur në të dhëna të reja që flasin për dëme shumë më të mëdha.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në një intervistë për CBS News disa dite me pare , pranoi se sulmet ndaj objektit bërthamor në Fordow kanë shkaktuar dëme të rënda.
Komente