Frrok Çupi
Të dyja ngjarjet u shfaqen në ekrane në të njëjtën mbrëmje…
Tirana i ka të mrekullueshme mbrëmjët e kësaj vjeshte. Pak mjegull, gjethe pemësh që fatmirësisht nuk i fshijnë punëtorët e qytetit, disa drita melankolike dhe njerëz të të gjitha kategorive.
Mbrëmë, teksa dilja nga Panairi i Librit, në trotuarin përballë mu bë se pashë Ismail Kadarenë. Për një çast e rrethuan disa të rinj, djem e vajza; o studentë, o gjimnazistë të viteve të fundit, ndoshta kalimtarë të rastit, kushedi. Pastaj ndaluan disa makina të vogla, ndaluan kundër rregullores së rrugores. Veç shoferët nuk mund të zbrisnin. Të tjerët fluturonin drejt shkrimtarit. Të gjithë i kërkonin Kadaresë o një autograf, o një foto në krah, o një selfie.
Mu bë se po jetoj kohë libri e kulture reale, çka është tretur prej kohësh.
Më paskësh hyrë në kokë mendimi se këtë pamje mund ta shikoja edhe në tv sapo të kthehesha në shtëpi. Jo veç këtë, që mu duk më e bukura, por jeta reale ofron plot pamje mahnitëse..
… Nuk ndodhi kjo as mbrëmë.
Edhe mbrëmë ekranet televizive të Tiranës u mbytën nga dy pamje:
Pamja e parë,
një lajm i shpejtë, që thoshte se Parisi u përgjak nga terrorizmi. Sulmi e kishte mbytur kryeqytetin e Francës në pesë a gjashtë pika nevralgjike. Bota po kërciste nga rreziku i madh, bota po ndryshonte.
Pamja e dytë,
vinte nga kryetari i qeverisë. Ky kishte shkuar në një qytet verior për të reklamuar si të pastrohet Shqipëria;dhe që këtu thërriste fort se “duhet forcuar e shtuar Partia Socialiste”.
Si kontrasens të të njëjtës ide të kryeministrit, në ekrane shfaqej edhe deklarata e një deputeti socialist, shkrimtar. Ky ankohej para publikut për rrezikun e madh që po vjen, se “po dobësohet Partia Socialiste”, siç tha.
Të dy të kundërt, por të dy të njëjtë, si kryeministri edhe shkrimtari politikan. Të dy kërkojnë të njëjtën gjë: forcimin e Partisë.
Ndërsa në ekranet e gjithë botës gjëmonte lajmi që tronditi njerëzimin. Parisi ishte sulmuar rëndë, sulmi më i egër mbi qytetërimin perëndimor që pas 11 shtatorit në SHBA. Mediat e mëdha komentuan menjëherë se “sulmi mbi Paris është ankthi mbi sigurinë në Europë”.
Mu bë se të dyja pamjet e ardhura në ekran në të njëjtën natë, kishin një të përbashkët. Sulmi mbi qytetërimin (e para), dhe forcimi i Partisë (e dyta), në gjithë jetën kanë qenë në një marrëdhenie të ngushtë, një ushqim për njëra- tjetrën. Është çudi se si në kulmin e një tragjedie botërore, dikush, sado i vogël këtu në Shqipëri, dekonspiron rrënjët e të keqes që në këtë moment shpërtheu me sulmet mbi Paris. Nuk mund të jetë një rastësi, rastësi sterile, fakti që bash në atë ditë e në ato orë kur në Paris bëhet nami, bash në atë moment një kryeministër shqiptar, i ardhur nga familje e komunizmit më të egër, kërkon forcimin e Partisë. Mu bë se kërkonte të forcohen rrënjët e të keqes që gjynjëzoi njerëzimin dhe Francën.
Francën, si dhe Nju Jorkun, si edhe përditë qytetërimin, i sulmon dhe i rrezikon partia. Sigurisht jo Parti Socialiste e Shqipërisë, ose e një vendi tjetër në Glob. Por Partia , parti, e pjesëshmja, pjesa, klani dhe klika.
Nga partia (parti) nisi marshimi mbi Romë, këndej nisi revolucioni i përgjakshëm bolshevik i Leninit, këndej mori rrugë nazizmi, këndej komunizmi…
… Xhelatët që mbytën në gjak Francën, janë, pasyshim, një part, një pjesë, pakicë, grupim. Edhe ata që qëndrojnë pas tyre (në këtë rast Shteti Islamik,-sipas pohimeve), është një part, një parti, një pjesë që rrezikon botën. Në këtë rast, ISIS është vërtet një parti (si ideologjike) që po tenton të krijojë një shtet. Madje sipas ëndrrës së IS, një shtet të madh sa vetë bota. “Do të pushtojmë të tërën”, thonë ata. Pra e duan Partinë të madhe dhe të fortë.
Rasti i kryeministrit ka shumë lidhje me këtë ide të fshehur tani për tani. Thirrja që bëri nga Lezha, dhe thirrja e njëjtë dy ditë më parë, për forcimin e Partisë Socialiste, nuk është një shërbim ndaj vendit ose ndaj popullit. Thirrja ka lidhje me zgjerimin dhe forcimin e pushtetit personal ose të grupit. Një pushtet i fortë e absolut është pragu i një terrorizmi mbi njeriun, mbi të drejtën dhe mbi individin.
Thellë- thellë, e gjithë e keqja vjen nga partia, nga pjesa, nga pakica mbi shumicën. Pakica ushtron ligjin, kontrollin, vjedhjen, pakica blen votat e shumicës, pakica të kontrollon shtëpinë dhe xhepin, pakica mbledh taksat e shumicës për favor të pakicës. Veç individi dhe shumica pësojnë.
Po përjetojmë çdo ditë traumën prej parti-t.
Njerëzit ulen e ngrihen me mallkimin për partitë. “Këto parti na kanë çuar në greminë!”, thonë njerëzit. Këto parti kanë zgjedhur qeveri dhe qeveritarë përbindësha, që vjedhin për vete, mbushin xhepat me djersën e njerëzve dhe asgjë për shërbimin ndaj popullit. Dje ambasadori i SHBA lëshoi thirrjen kundër vjedhjes dhe korrupsionit prej ministrave. Partia i ka vënë ministrat në ato këmbë, partia i ruan, njerëzimi nuk i do.
Partia i ka emëruar edhe deputetët e Kuvendit. Deputetët e këtij Kuvendi janë shpallur kriminelë, si prej aleatëve perëndimor, si prej disa oponentëve brenda partisë, ashtu edhe nga vetë Kuvendi. Një kriminel në Kuvend dhe një kriminel në hollin e Koncerteve në Paris, cili është dallimi, vallë? Partia i zgjedh si këta, si ata.
Po të kërkosh forcimin e klanit, ke kërkuar forcimin e pozitave të së keqes mbi qytetërimin.
Vendi ynë dhe kombi ynë e ka larë borxhin e të keqes me partinë. Me partinë lidhen vuajtjet e shqiptarëve për gjysmë shekulli: Dhuna, burgu, izolimi, uria, diskriminimi. Me partinë u ngrit diktatura dhe u mohuan vlerat e të drejtat njerëzore. Me partinë po ndërtohet tani një sistem arrogance dhe vaniteti. Me partinë po i vidhet gjithçka pasurisë së kombit dhe të individi. Me partinë zihen vendet e punës për militantët, ndërsa shporren të tjerët. Partia merr pozitat e zotit mbi shumicën, ja ky është krimi.
Dhe vjen një mbrëmje kur në lajme nuk të vjen më as vjeshta, as shkrimtari, as fëmijët. Edhe në hollin e koncerteve kanë hyrë militantët. Hapësirat e shumicës i ka zënë parti.
Këta tanët, hapur para popullit, kërkojnë forcimin e partisë. Shumica dhe individi kanë të drejtë të frikësohet para zgjerimit të part-it dhe klikës… Bash ditën dhe orën kur partia sulmoi e gjakosi të tërën, qytetërimin.
… A mund të mendohemi pak dhe të pyesim çfaré po ndodh!?