Palët nuk kanë arritur në një dakordësi për votën e diasporës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u ka prezantuar të pranishmëve në tryezë propozimin e KQZ, i cili bazohet në 2 pika kryesore: ata kërkojnë regjistrim të votuesve në një portal që menaxhohet nga KQZ, si edhe vota të dërgohet po me anë të këtij portali.
“Kishte 2 komponent, lidhej me procedurat e regjistrimit të votuesve nga jashtë nëpërmjet një portal të posaçëm që administrohet nga KQZ dhe komponenti i dytë ishte mënyra e votimit dhe dërgimit të fletës së votimit të bëhet nga ky aplikacion”, tha Celibashi.
Mirëpo, ky propozim nuk e ka bindur Partinë Socialiste. Përfaqësuesi i saj në grupin e punës, Damian Gjiknuri tha se propozimi i Celibashit ka lënë pyetje shumë pyetje pa përgjigje. Gjiknuri thotë se nëse bëhet votim elektronik, pra në distancë, atëherë do duhet të bëhet për të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm për diasporën, në të kundërtën thotë se do ishte diskriminim.
Prandaj, këmbëngulë që për socialistët varianti më i mundshëm është ai me postë. Madje thekson se s’ka nevojë për ngritjen e portaleve të tjera, por mund të punohet me ato ekzistuese, si Posta Shqiptare.
“Votimi elektronik ka shumë pikëpyetje nga pikëpamja e integritetit, ne do i shikojmë dhe aty dolën shumë pikëpyetje që kërkojnë sqarim, nëse do shkohet drejt votimit elektronik në Shqipëri duhet parë, varianti më i mundshëm është varianti klasik i votimit me postë dhe regjistrimit të këtij portalit. PS jemi me parimin që çdo qytetar që jeton jashtë vendit, që iu nënshtrohet 2-3 hapave normal për identitetin. Duhet t’i besojmë sistemeve aktuale që shqiptarët punojnë sot, sistemit postare dhe atij të identifikimit elektronik që funksionon”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër, opozita nuk është radikale kundër këtij propozimi të KQZ, por ndryshe nga mazhoranca thotë se nëse vota duhet bërë me postë atëherë jo me Postën Shqiptare dhe nëse bëhet online, jo me anë të e-Albania-s. Kjo sepse sipas tyre, këto 2 organe janë të manipulueshme nga qeveria.
“Kërkuam informacion më tepër, në kërkojmë që nëse zgjidhet Posta, s’duhet të jetë Posta shqiptare, nëse me portal, jo portal qeverie”, tha Oerd Bylykbashi.