Shtatë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kujtim Gjuzi kërkojnë heqjen e pragut elektoral në zgjedhjet e ardhshme si dhe propozojnë që Shqipëria të jetë një zonë e vetme zgjedhore.

Ndryshe nga deputetët e opozitës që negociuan një ditë më parë me Kryeministrin Rama për listat e hapura, 7 deputetët e Kuvendit theksojnë se ne zgjedhjet e ardhshme duan të shkojnë me koalicione.

Në dokumentin e firmosur nga Zef Shtjefni, Selami Jenisheri, Adriatik Alimadhi, Krenar Rryçi dhe Vasil Sterjovski dhe Kujtim Gjuzi shkohet më tej teksa kërkohet që të zhvillohet një referendum kombëtar me anë të të cilit të vendoset zgjedhja e Presidentit nga Populli, dhe vendi të kalojë në republikë gjysmë presidenciale.

Më tej, deputetët kërkojnë që të shtohet numri i ligjvënësve në Kuvend, nga 140 që janë aktualisht të shtohen 10 deputetë, pra konfigurimi i Kuvendit të jetë me 150 deputetë.

Në letrën e tyre shtatë deputetët specifikojnë se janë kundra kërkesave që kanë firmosur 29 deputetët që udhëhiqen nga Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari.

“Heq të drejtën e partive të grupohen në koalicion për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk do të ketë fuqi askush të heqë koalicionet parazgjedhore. Kjo ndalon rotacionin politik në Shqipëri”, tha Stojku.

Ndërsa kreu i Partisë Konservatore Kujtim Gjuzi deklaroi se qeveria tranzitore duhet të jetë me akademikë, për të mos penalizuar më qytetarët e penalizuar për 30 vite.Ai thumboi kryeministrin Edi Rama duke thënë se shkëlqesia e tij nuk duhet t’i zhvillojë takimet në Kuvend por në kryeministri.

“Kemi depozituar në kryesinë e Kuvendit projektin tonë që do të kthehet në nismë ligjore. 8 parti politike kanë marrë këtë nismë për ndryshime radikale në Kodin Zgjedhor. Për identifikimin biometrik. Kushtet kryesore janë edhe për pakicat gjuhësore.

Ne kemi objeksionet tona. Shkëlqesia e tij mund t’i bëjë takimet në kryeministri dhe në ambientet e tjera të hapura. Në kuvend ka tagër vetëm kreu i Kuvendit. 140 deputetë votuan reformën në Drejtësi. Pse tani janë penduar. Duhet që në këtë situatë vetëm Kuvendi do të ketë tagrin, me ndihmën e ambasadave.

Nëse penalizojmë qytetarët shqiptarë të penalizuar në 30 vite. Ne kemi 7 pika. Nuk mund të pranojmë atë që thonë ata. Sot jemi 8 parti dhe do bëhemi 11. Si mund të rifutet PD dhe LSI në politikë. Qeveria tranzitore duhet të jetë me akademikë. Kemi projektin”, tha Gjuzi.

Ndërsa Zef Shtjefni e la të hapur mundësinë e përçarjes së 29 deputetëve të opozitës që kanë firmosur kundër miratimin e Reformës Zgjedhore.

“Nuk kam firmosur asnjëherë për ndryshime në Kushtetutë. Jemi në konsulencë për 29 firmat. Janë dakord për hapjen e listave, por tani kërkojmë edhe të mos hiqen koalicionet”, tha Shtjefni.

VERITAS.COM.AL