Frrok Çupi
Këta bëjnë gjithçka, përderisa…
Njëri nga këta, në fb, qenka ngritur pa zbardhur dhe ka bërë thirrje me shkronja të mëdha se: ‘Ka ardhur koha të arrestohet Ambasadori Erik Weindt’. (Sigurisht, emrin ambasadorit ia ka shkruar gabim).
Pak më parë e kishte shkruar me gabim të qëllimshëm: ‘Ambasaderrrrrr!’.
Por këta bëjnë gjithçka. Përderisa u shkon mendja të burgosin ambasadorin e Shteteve të Bashkuara.
Në 26 tetor, edhe ky sapo zbardhi dita, një ish- deputet tani në opozitë, i shkruan ambasadorit Wendt:
“Fol si njeri…, si njeri i një vendi të lirë, mor burrë!’ dhe pastaj e fyen se ‘ti je në gjumë’. Edhe pse lindur e rritur në Myzeqe, tonet kundër ambasadorit të Amerikës i ngre në të njëjtën muzikë me Veriun ‘mor burrë’. Kur nuk të mjafton vetja, sigurisht do të kërcënosh ambasadorin më të fuqishëm.
Shefi i propagandës i Partisë Demokratike, shtatë ditë para myzeqarit, i çon fjalë zotit Wendt, me kobure në dorë:
-Or ti, tezak, “ke ardhur këtu si sherif i ri, apo si CEO i ri i resortit të Zvërnecit?!”.
Thashë ‘me kobure në dorë’, sepse bash për të justifikuar ‘koburen’ e vet kundër amerikanit, ambasadorin e quajti ‘Sherif’.
– Ti me kobure, unë me kobure!’, do të thotë.
Do të thotë se këta bëjnë gjithçka. Çfarë presim ne nëse do të ishim në duar të tyre?!
Do të thotë se nuk ua vlen ti dëgjosh?
-Janë të marrë, lëri të kalojnë!, mund të thuhet.
Në një të folme të vjetër të stinës së vjeshtës kur mblidhet rrushi e bëhet rakia, ka një fjalor për gavixhet (enë të mëdha prej druri). Fjalori përdoret si alegori për njeriun e marrë: ‘I kanë rënë rrathët!’.
Megjithatë nuk mund të kalohet vetëm me kaq.
Se pastaj, po kapërcyen mbi Amerikën dhe mbi ambasadorin amerikan, atëherë e kanë të lehtë të tundin sheshin me thirrje: ‘T’i varim këta tanët!’. Tanët edhe mund t’i varin…, se çfarë nuk bëjnë këta!’. A nuk u dyndën nga çdo cep e zgafelle, erdhën në bulevard dhe thërritën se ‘do tua bëjmë gjyqin këtu në trotuar!’?
Përderisa u shkon mendja të burgosin ambasadorin Wendt, do të thotë se ‘kaluan oqeanin dhe ylberin. Mund të bëjnë gjithçka’.
Prandaj duhet t’i konsiderojmë.
Nuk kanë më as logjikë as sy në ballë. Ambasadori u ka zënë rrugën për të djegur qytetin e mandej fshatin. Atëherë ‘Ambasadorin burgosim, Edi Ramën e vrasim, qytetin dhe qytetërimin i djegim!’
Kur vjen nata dhe këta mund të bubërrojnë nëpër lagje, të duket sikur mbete në dorë të tyre dhe erdhi fundi i botës. Njerëzit të pyesin, edhe nga frika: “Ça bahet kështu?’. Nëse vënë dorë edhe mbi Amerikën, atëherë ç’u pa të pritet?!
Mund të merret jo vetëm si marrëzi, por edhe si simbol. Shpesh në gjuhën kriminale quhet ‘paralajmërim’.
Por që edhe simbol i rastësishëm nuk është. Ky është simbol i kushtëzuar. Përderisa e përdorin burgun dhe vrasjen çdo ditë, ky është kushtëzim. Përderisa djegin çdo ditë Tiranën, ky është kusht. Përderisa janë kapur armë, maska, grupi i zjarrit, të huaj të paguar për këtë krim, gjurmë të Antifa-s, të terrorizmit Islamik, të luftës kundër afrimit tonë me Evropën, kundër Amerikës….
Përderisa është simbol i kushtëzuar dhe luftë për ekzistencë.
Po edhe që ti lësh të kalojnë ashtu sikur nuk ekzistojnë, kjo nuk bën.
Të paktën na kanë zgjuar. Me emrin e ambasadorit Wendt do të thotë se ‘si shumë’.
Më parë i kanë vënë zjarrin qytetit, pastaj ngrenë gjykatë në bulevard dhe burgosin edhe ambasadorin. Ka qenë një ambasadore që shpëtoi për mrekulli pa e vrarë po ky specie njeriu që thotë sot ‘burg për Wendt’.
Komente