Nga: Prof. Dr. Svetomir Shkariq

Presidenti i Republikës ka përgjegjësi politike dhe penale për veprimet e parashikuara në Kushtetutë. Përgjigjet edhe për veprimet e  pa ekzekutuara nëse mosrealizimin e tyre janë dëmtuar ndjeshëm interesat shtetërore ose  interesat e qytetarëve.Çdo sjellje e tij mund të përfundojë si një  vepër penale “Tradhti”. Përgjegjësia politike buron nga Kushtetuta, ndërsa ajo penale nga legjislacioni penal dhe nga pikëpamja e gjerë e teorisë kushtetuese të përgjegjësisë penale të presidentit .

Shkelja e Kushtetutës

Presidenti i Republikës përgjigjet për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve. Nëse i shkel aktet e lartpërmendura, atëherë Parlamenti me  dy të tretat e shumicës ngre akuzë, ndërsa Gjykata Kushtetuese vendos për akuzën. Akuza duhet të mbështetet nga të paktën 80 deputetë, ndërsa vendimi për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve nga së paku gjashtë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese (dy të tretat e shumicës). Nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se Presidenti e ka shkelur Kushtetutën ose ligjin, atëherë funksioni i pushon para kohe, në përputhje me Kushtetutën (neni 87).

Procedura për përcaktimin e përgjegjësisë politike të presidentit përcaktohet në Rregulloren e Punës së Kuvendit nga viti 2010 dhe në Rregulloren e Punës të Gjykatës Kushtetuese nga viti 1992. Akti i parë e rregullon propozimin për fillimin e procedurës, ndërsa me të dytën, miratimi i vendimit mbi përgjegjësinë. Mocioni për të filluar procedurat është në fakt një aktakuzë, ndërsa vendosja për mocionin është një gjykim i presidentit. Kështu është në vendet që e njohin impiçmentin ose gjysmë impiçmentin”.

Propozim për fillimin e procedurës paraqitet nga të paktën 30 deputetë. Propozimi përmban një shpjegim të arsyeve për ngritje të procedurës, përshkrimin e veprimeve dhe provave të shkeljeve të Kushtetutës dhe të ligjeve. Pas përcaktimit të propozimit, Kryetari i Kuvendit menjëherë ia dorëzon atë deputetëve të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës. Pas propozimit të dorëzuar, në një kohë të shkurtër, Kuvendi themelon një Komision i përbërë nga kryetar  dhe 10 anëtarë për vlerësimin e vlefshmërisë së propozimit. Pas njoftimit për formimin e Komisionit, Presidenti mund me shkrim të deklarohet për propozimin. Komisioni duhet të paraqesë një raport në Kuvend brenda 15 ditëve nga data e themelimit të tij. Presidenti ka të drejtë të deklarohet me shkrim për raportin e Komisionit dhe të marrë pjesë drejtpërdrejt në debatin në Kuvend. Kuvendi i dërgon vendimin e miratuar Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese themelon një komision prej tre gjyqtarësh për të kontrolluar dëshmitë që i përmban raporti i komisionit Parlamentar. Ai është i detyruar të kërkojë edhe mendim nga presidenti mbi gjetjet në aktakuzë. Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se Presidenti e ka shkelur Kushtetutën ose ligjin, atëherë funksioni i pushon menjëherë sipas fuqisë së Kushtetutës (ipso iure). Mandej, dosjen e presidentit ja dërgon prokurorisë kompetente, për tu hapur procedurë penale.

Gjorge Ivanov është presidenti i parë kundër të cilit është iniciuar një procedurë për përgjegjësi politike. Nisma u iniciua nga 50 deputetë, të nesërmen pas miratimit të Vendimit për abolicion të 12 prillit të vitit 2016. Bëhet fjalë për një vendim me të cilin presidenti i liroi nga përndjekja 56 persona për 107 krime të kryera, pa realizimin e një procedure. Në maj, u formua një komision i përbërë nga gjashtë anëtarë të VMRO-DPMNE dhe pesë anëtarë të partive të tjera parlamentare. Ndodhi një

paradoks matematikor: një parti që nuk ka 50 përqind të deputetëve në Kuvend siguroi një shumicë në komision. Dhe anasjelltas, partitë që kishin më shumë se 50 përqind të deputetëve në Parlament u bënë një pakicë! Kjo ishte shembull tipik i një “shteti të robëruar”.

Në qershor, parlamenti diskutoi për raportin e Komisionit në një atmosferë të tensionuar. Pas disa ditë debati, për përgjegjësi të  presidentit votuan 35 ndërsa 47 deputetë ishin kundër. Me një rezultat të tillë, propozimi për shkarkimin e parakohshëm të Presidentit nuk mund të arrinte në Gjykatën Kushtetuese. Kjo i dha Presidentit fuqinë për të vazhduar të pohonte se abolicioni ishte i bazuar ligjërisht, edhe pse në vendimin përmend neni i vdekur i Ligjit për Falje (Neni 11). Nuk i pengonte as maksima e juristëve klasik romak, sipas të cilës ligji i shlyer nuk mund të ringjallet, nëse shlyhet ligji me të cilin ligji fillestar është abroguar (аbrogata lege abrogante, non reviviscit lex abrogata).

Përdorimi i një neni të vdekur është abuzimi i së drejtës për falje. Kjo ka shkaktuar shumë revoltë publike. Pas vendimit për abolicionin, të nesërmen, në rrugët e Shkupit u shfaq “Revolucioni i Larmë”. U demolua Zyra Popullore e presidentit dhe u dogjën portretet e tij. Si reagim të kësaj, presidenti u prononcua me fjalët, ”Më mirë është të digjen fotografitë e mia se sa institucionet e shtetit “.

Presidenti nuk e ndjeu nevojën për të dhënë mendimin e tij mbi gjetjet e Komisionit, as nuk iu përgjigj ftesës për të marrë pjesë në debatin në Kuvend. Ai mori një qëndrim refuzues, duke e injoruar revoltën e publikut vendas dhe ndërkombëtar. Në asnjë moment nuk ndjeu nevojë për të dhënë dorëheqje, një formë e përgjegjësisë politike të praktikuar në shumë vende. Për shembull, Sharl De Gol vendosi të japë dorëheqje për shkak të besimit të humbur në referendumin më 27 prill 1969. Në vitin 1974, Riçard Nikson u largua nga funksioni para kohe me qëllim që të mos i ndjejë pasojat e impiçmentin në aferën Votergejt. Ndërsa në vitin 1990, Presidenti i Bullgarisë Petar Mlladenov dha dorëheqjen për shkak të përhapjes së lajmit të rremë në publik që ai donte të “thërriste tanket” për ti sulmuar protestuesit e mbledhur përpara Asamblesë Kombëtare në Sofje.

Përgjegjësi penale

Kushtetuta me derë të hapur gjerë e aplikon përgjegjësinë penale të presidentit. Atë e bën këtë me dispozitën sipas së cilës Gjykata Kushtetuese vendos të heqë imunitetin e presidentit me shumicë prej dy të tretat e votave nga numri i përgjithshëm i gjykatësve (neni 83). Në bazë të kësaj dispozite, presidenti i nënshtrohet  përgjegjësisë penale për të gjitha veprat penale, jo vetëm ato më të rënda, siç është rasti me presidentët e një numri të madh të vendeve në botë. Në rast të imunitetit të marrë, presidenti mund të paraburgoset dhe kundër tij të udhëhiqet një procedim hetimor dhe gjyqësor.

Gjykata Kushtetuese vendos për marrje të imunitetit me propozim të organit kompetent para të cilit është paraqitur kërkesa për fillimin e procedurës penale. Gjatë vendosjes për imunitetin, Gjykata Kushtetuese ka një hapësirë të gjerë manovrimi: kufiri më i ulët është imuniteti parlamentar, ndërsa ai i sipërm është aq e lartë sa është edhe qielli. Në rrethana të tilla, Gjykata Kushtetuese në thelb mund të ndikojë në fillimin e procedurës penale.

Presidenti mund të përgjigjet penalisht edhe për vepra që nuk i ka bërë. Për shembull, për mos nënshkrimin e dekretit pas miratimit të ligjit të miratuar në Kuvend, për mos dekretimin e shpalljes së ligjit të miratuar me shumicën e dy të tretave të votave, për mos dhënien e mandatit për krijimin e Qeverisë nëse shumica parlamentare e ka siguruar ose për mos miratimin e një vendimi për shpalljen e luftës nëse shteti është sulmuar nga jashtë. Në raste të tilla, bëhet fjalë për vepër penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe i autorizimeve”, të paraparë me Kodin penal të RM i vitit 1996 (neni 353).

Përgjegjësi penale mund të kërkohet edhe në rastet kur presidenti nuk përdor veton e pezullimit për ligjet të cilat post festum shkaktuan një katastrofë sociale, shkatërrimin e të mirave publike, shkeljen e integritetit të një personi të një formati kombëtar ose hapjen e një hapësire të gjerë për përdorimin e dhunës në institucionet shtetërore. Për shembull, nuk është përdorur vetoja e pezullimit për Ligjin e transformimit (Privatizimit) të Kapitalit shoqëror të vitit 1993, Ligjit mbi pronësinë dhe të drejtat e tjera të vërteta nga viti 2001, Ligji mbi Lustrimin i vitit 2008 dhe Ligji për Kuvendin e RM  nga viti 2009. Me ligjin e parë në rrugë u hodhën shumë punëtorë. Me ligjin e dytë, të mirat publike u bënë pronë shtetërore në duart e Qeverisë. Me Ligjin e tretë u lustruan persona me rëndësi të madhe kombëtare dhe kulturore, ndërsa dhe me të katërtin krijua një bazë ligjore për “të hënën e zezë” – një ngjarje që tronditi gjithë botën parlamentare.

Kur bëhet fjalë për krerët e shteteve, veprat penale kanë më shumë peshë sesa pesha e krimeve të kryera nga entitete të tjera. Disa nga ato vepra të renditura në kushtetutat gjithashtu kanë një natyrë më komplekse sesa veprat e parashikuara në ligjet penale. Për shembull, vepra penale e tradhtisë e parashikuar në Kushtetutën e SHBA, Kushtetutën e Francës dhe Kushtetutën e Bullgarisë është më komplekse se vepra penale e parashikuar në ligjet penale të atyre vendeve. Kompleksiteti është rezultat i akumulimit të përgjegjësisë politike dhe penale. Bashkimi i këtyre dy komponentëve dallohet edhe në veprën penale “Tradhti e lartë” e paraparë me KPRM (neni 305).

Sipas rregullës, presidentët penalisht nuk përndiqen përderisa nuk janë në funksion. Përndjekja e tyre fillon kur bëhen persona privat, kur e humbin të drejtën e imunitetit. Në kohën më të re ashtu është vepruar ndaj presidenteve të mëparshëm të Brazilit, Lula da Silva, të Republikës Jugafrikane, Jakob Zuma dhe të Francës, Nikolla Sarkozi, që të tre të akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të funksionit të presidentit.

Veritas.com.al/