Kreu i Komisionit të Ligjeve, njëherësh deputeti i PS-së, Ulsi Manja ka reaguar për përgjimet e publikuara sot në gazetën gjermane “Bild” për dosjen 339 ku përmendet Astrit Avdylaj dhe Vangjush Dako por edhe zyrtarë të tjerë të PS-së.

Sipas tij, duhet të nisin hetimet për nxjerrjen e sekretit hetimor.

“Siç e dini janë bërë publike sot disa materiale përgjimi nga dosja 339 që është ende në hetim. Nuk do flas për hetimet dhe fatin e personave të përmendur. Jam këtu i shqetësuar për dy gjëra, e para është koha që Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të vlerësojë seriozisht çështjen e daljes në publik të sekretit hetimor. Të hetohet kush prej prokurorëve i çoi përgjimet në zyrat e PD”,- tha Manja.

Anëtari i Kryesisë së PS-së, “shigjetoi” më tej opozitën dhe tha se bën pjesë të përgjimeve të saj persona të dënuar.

“PD e LSI të mos merren me thashetheme e filxhanin. Opinionit publik të vërtetat duhet t’ia japë drejtësia. Ju e patë edhe protestën e fundit, aty ku të dënuarit opozita i kishte pjesë të protestës së saj, ndërkohë që një dosje për të cilën s’ka folur ende drejtësia e ka bërë kauzë të saj, ka djegur mandatet e ka dalë në rrugë”,- vijoi Manja.

Gjatë fjalës së tij, Manja iu përgjigj interesimit të gazetarëve se do vijojë të ulet në një tryezë me Dakon pavarësisht se ai del në përgjime me një marrëdhënie konstante me një anëtar të një grupi kriminal.

“S’jam i shqetësuar për përmbajtjen e përgjimeve dhe fatin e personave të përfshirë në të, pasi kjo duhet të jetë çështje e drejtësisë. Jam i shqetësuar se ato materiale janë pjesë e një dosjeje që është në hetim dhe publikimi i tyre ka dëmtuar rëndë hetimin. Ndaj jam sot këtu i shqetësuar. Unë jam anëtar i kryesisë së PS dhe jam ulur e do ulem me Dakon për sa kohë drejtësia e vendit tim nuk ka një vendim penal të formës së prerë që e ndalon të jetë pjesë e jetës publike, për sa kohë është qytetar i lirë. Për sa kohë respektojmë ligjet e vendit tonë”.

Veritas.com.al/