
Pano Soko largohet nga lëvizja “Nisma Thurje” e drejtuar nga Endri Shabani.
Me anë të një postimi në Facebook, Soko thekson se “ngjarjet e fundit që ndodhën, ishin një turpërim i pamerituar në sytë e gjithë atyre që na votuan dhe që me votën e tyre na ngarkuan përgjegjësinë e rëndë për të qënë zëri dhe fytyra e tyre në jetën politike e publike të vendit”.
“Pavarësisht se personalisht u përpoqa me sa munda që çështja të merrte zgjidhje nga palët në konflikt, tentova me çdo formë e mënyrë të sillja racionalitet në një mjedis tejet të ngarkuar emocional, fatkeqësiaht nuk arrita dot.
Prandaj unë sot dua të përmbush përgjegjësinë për aq sa më takon përballë gjithë atyre që na besuan ndaj vendosa të tërhiqem nga çdo funksion dhe angazhim politik që kam në partinë Nisma Thurje”, shkruan në postimin e tij, Pano Soko.
Postimi i plotë
Ngjarjet e fundit që ndodhën, ishin një turpërim i pamerituar në sytë e gjithë atyre që na votuan dhe që me votën e tyre na ngarkuan përgjegjësinë e rëndë për të qënë zëri dhe fytyra e tyre në jetën politike e publike të vendit. Ngjarje kjo që personalisht besoj se do të jetë në kufijtë e të pamundurës për t’u rekuperuar, si në aspektin politiko-elektoral, por deri diku edhe në imazh publik.
Dhe ky turpërim kërkon përgjegjësi.
Pavarësisht se personalisht u përpoqa me sa munda që çështja të merrte zgjidhje nga palët në konflikt, tentova me çdo formë e mënyrë të sillja racionalitet në një mjedis tejet të ngarkuar emocional, fatkeqësiaht nuk arrita dot.
Prandaj unë sot dua të përmbush përgjegjësinë për aq sa më takon përballë gjithë atyre që na besuan ndaj vendosa të tërhiqem nga çdo funksion dhe angazhim politik që kam në partinë Nisma Thurje.
Ne, në vetëm një javë, arritëm me sukses të bënim pluhur e hì gjithë atë punë shumëvjeçare për ngritjen e një alternative të re, jo vetëm me fytyra të reja, por edhe me një koncept të ri të të bërit politik, larg intrigave dhe sherreve banale për karrige, larg egove të sëmura dhe inateve personale që shndërrohen në kauza të forcës politike, larg meskinitetit fëminor që përcakton sjelljen politike, apo konfliktit antagonist siç rëndom kemi parë politikën të servirë në këto 35 vjet.
Në këtë javë ne treguam që nuk jemi shumë larg tyre.
Në vetëm një javë ne zhbëmë gjithë atë iniciativë fantastike, që ishte sfidimi i sistemit të listave të mbyllura dhe garimi me lista të hapura.
Sot mandatin e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet dhe Nismës Thurje si pjesë e koalicionit, e mori një person që as e donte, as nuk punoi për ta marrë, as e kishte ambicje, asgjë. Një person që me dëshirën e mirë për të ndihmuar, pranoi të hynte në listë fiktive dhe të luante rolin e saj si garante, por që sot e sheh veten me mandat.
Dhe kjo për mua është vijë e kuqe!
Komente