Një javë më parë, Komisioni i Rithemelimit dorëzoi dy kërkesa në Inspektoratin e Lartë të drejtësisë dhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit nga të cilët ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Blerina Muça.
Rithemelimi pretendon se kjo gjyqtare ka kryer shkelje të rëndë pasi pranoi ankesën e Enkelejd Alibeajt mbi statutin e 11 dhjetorit.
Ndërkohë, ka reaguar Gjykata e Apelit, e cila i dënon këto deklarata, duke i quajtur si si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore.
“Gjykata e Apelit Tiranë, duke vlerësuar maksimalisht të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryesisht ato të lirisë së shprehjes dhe mendimit, sjell në vëmendje të opinionit publik se ato duhet të ushtrohen në respekt të të drejtave po aq themelore, që konkurrojnë me to.
Gjykata është e vetëdijshme për rolin e partive politike në një shoqëri demokratike, ndaj çdo debat publik mbi organizimin, mbarëvajtjen dhe ushtrimin e rolit të tyre në zhvillimin e shoqërisë, mbart në vetvete çështje të interesit publik.
Nga ana tjetër, po aq i rëndësishëm në një shtet të së drejtës është respektimi nga cilido i pavarësisë, autoritetit, legjitimitetit të pushtetit gjyqësor, si dhe shmangia e deklarimeve apo sulmeve që cenojnë besimin e publikut te trupa gjyqësore.