Pesë ministra të rinj të kabinetit qeveritar u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Një ditë më parë Kuvendi miratoi emërimin e ministrave të rinj të propozuar nga kryeministri Edi Rama, pasi më herët emrat e tyre u dekretuan nga Presidenti.

Albana Koçiu si ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale.

Ogerta Manastirliu u betua si ministre e Arsimit dhe Sportit.

Igli Hasani u betua si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme.

Anila Denaj u betua si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Arbjan Mazniku u betua si ministër i Pushtetit Vendor.

Ndërkohë ministrat Delina Ibrahimaj dhe Ervin Mete nuk janë betuar ende, kjo për shkak të një ngërçi procedurial.

Shpjegimin për këtë ngërç e ka dhënë Eduard Shalsi, i cili në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ka sqaruar se:

“Si rregull Kuvendi para se të miratojë detyrën e Ervin Metes si ministër i Financave, duhet të miratojë dorëheqjen e tij nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe posti i Drejtuesit të këtij institucioni. Pra votohet vendimi për lirimin e zotit Ervin Mete”, tha Shalsi dje.

Votimi i fshehtë për largimin e Ervin Metes nga AMF ka marrë 95 vota pro, 1 votë abstenim dhe 5 vota kundër.

Deri në seancën e radhës, Delina Ibrahimaj do të qëndrojë në postin e ministres së Financave në detyrë, ndërkohë që s’ka marrë ende postin e Edona Bilalit, e cila u shkarkua nga posti i ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.