Nga Ardit Rada

Sali Berisha ka dështuar të japë një model shpresëdhënës për bashkitë që kërkon të fitojë në 14 Maj. E vetmja risi që i gjithë koalicioni prej mbi 20 partish do të sjellë, është premtimi i Ilir Metës së Këshillat Bashkiakë do të kthehen në Kuvende. Në fakt edhe kjo s’i hyn në punë askujt. As demokracisë, e aq më pak shqiptarëve. Askush s’ka vuajtur nga transparenca e Këshillave Bashkiakë dhe mbi të gjitha, Ilir Meta ishte pjesë e mazhorancës së tyre, që nga viti 2011 së paku.

Të dështuar para ofertës që duhet t’i jepnin më kohë ‘konsumatorit’ votues, opozita ka gjetur organizmin e ndonjë proteste tek-tuk, për të mbajtur me gajret elektoratin e saj deri ditën e zgjedhjeve lokale. Ajo që nuk po kuptohet është se protestat i thërrasin dy individë që kanë bërë pazar hapur me të ardhmen e shqiptarëve. Jo në 2009, as në 2017. Por pikërisht sot, në prag të 14 majit kanë ndarë publikisht se kush do të emërojë kandidatët, e kush këshilltarët. Kjo mjafton për të kuptuar se në çfarë lloj plaçke do të kthehen bashkitë ku mund të fitojnë dy mamuthët e sipërpërmendur.

I pari përveçse është shpallur i padëshiruar familjarisht nga SHBA dhe Britania e Madhe, ka edhe djalin e dhëndrin nën hetim, dhe kur paraqiten tek dera e SPAK si qenë të rrahur, nuk e marrim vesh për çfarë akuzohen më parë. Për Gërdecin, për Boronicat, për ish-Kompleksin Partizani e të tjera me radhë. I dyti nuk shpallet non-grata se s’e ka njeri në hesap fare përderisa përfundoi nga 19 deputetë në tre. Por po ashtu hetohet që nga floriri i Krrabës e më tutje.