Sarkazëm nga Agim Xhafka/

Ka ca ditë që është prodhuar lajmi se po restaurohet piano e Tefta Tashko Koços. Në dëgjim të parë duket një informacion pozitiv. Ja, pra po ecën shoqëria jonë drejt vlerave. Dhe njeriu largon të keqen që na ka mbirë, e lehtëson kraharorin se po sheh ca rreze dielli. Por ndërkohë seç del diku një njoftim se pasuritë arkeologjike po i mbyt me beton Gjushi i Durrësit. Ky xhuxhmaxhuxh me kurajë bajlozi iu turr vlerave kombëtare e asgjë nuk po e ndal.

Ndërkohë piano po restaurohet. Për të po flasin të specialistë që rrëfejnë sa këngë e sa koncerte ka dhënë artistja me pianon e saj. Një piano e bekuar, plot emocion dhe mbresa…

E prapë na rri Gjushi mbi tastierat e Teftës. Me çimento e hekur në dorë. Me matrapik gati të shqyejë krejt kombin…

Kështu ecën historia jonë: Prish e prish dhe nga e shkuara asgjë nuk ngelet. Asnjë objekt. Deri sa detyrohemi ta rikrijojmë. Se kur s’kemi pulën do hamë sorrën. Më erdhi ndër mend një pasazh nga krijimi i muzeut në Lushnjë. Nuk kishte asgjë nga antikiteti. Asgjë. Por një mësues mori një gjym bakri, e shkeli me këmbë, e shtypi dhe e shëmtoi, e zhyti në llucë dhe sipër tij vendosi shënimin: “Vegël shtëpiake shek V p.e.s, gjetur në rrethina.”

/Veritas.com.al/