Frrok Çupi/
Sot ra kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Milo dha dorëheqjen, por në një heshtje që askush nuk do ta kishte besuar. Vetëm Radio “Europa e Lirë” u ndodh aty rrotull që dha lajmin; askush tjetër. Megjithëse u duk si një akt “burrëror”, në fakt rënia e “njeriut të pathyeshëm” të Malit të Zi ndodhi si në banalitet. Gjatë 27 vjetëve që qëndron në pushtet (herë president e herë kryeministër) nga njëra anë i tregoi dhëmbët popullit të vet, nga ana tjetër u përul para çdo nëpunësi të huaj me qëllim që të mbronte korrupsionin emblematik. Sapo kishte fituar zgjedhjet me një mandat “çeliku” në Parlament. Të nesërmen e fitores u ankua “nga Moska”, tha se “po komplotojnë Rusët”, “tha se “po më vrasin” dhe iku…
Kjo është “teknologjia” e rënies së qeverive në Ballkan. Rënia është duke ndodhur; Milo thjesht tregoi rrugën se si po ndodh.
Po ndodh si me Kosovën. Njeriu i hekurt i Kosovës, Hashim Thaçi, u trondit shumë nga zëri i medias dhe i disa shkrimtarëve kundër lojës banale të dy kryeministrave fqinj ndaj shtetit të Kosovës: Vuçiç dhe Rama. Thaçi i Kosovës menjëherë kuptoi teknologjinë e rënies së Gjukanoviç , dhe vrapoi drejt Tiranës për të mbrojtur shokun e tij. Erdhi në një Televizion në Tiranë dhe u betua “për kokë të vëllazërisë, Rama nuk ka faj”. Ai e di se po të bjerë ky këtu në Tiranë, vetë Thaçi ka rënë…
Kështu është i lidhur Ballkani, veçanërisht në këtë epokë kur kryeministrat kanë harruar përgjegjësitë e qeverive dhe po mbajnë njëri -tjetrin, pavarësisht çfarë kërkojnë kombet. Kryeministri i Shqipërisë u kthye shpejt në Kosovë në “vendin e krimit” ku kishte bërë dëmin, si për përkrahur muskujt e Thaçit, por u shfaq i veshur me antiplumb. Sa ç’u përqesh nga malësorët në Shishtavec të Kukësit, aq u tremb në Kosovë. Këta kanë rënë, që në momentin kur “vëllezërit” kërcënojnë ose frikësohen me antiplumb.
Rënia e Malit të Zi iu kushton shumë shtrenjtë këtyre të tjerëve. Në radhë të parë pse ra miti “ballkanik”, miti se në këto kohë të turbullta “mund të qëndrosh” në pushtet 15, 27 dhe 31 vjet… Por është ana tjetër, krejtësisht politike, që i ka lëshuar qeveritë e Ballkanit. Qeveria e Tiranës mbahet mbi prodhimin e narkotikëve. Kur e nisën menduan se mund të ndërtojnë “perandorinë Narkotike”. Por këtu nuk ecën kjo gjë; Ballkanit i ka ikur koha e perandorive. Rënia e fundit u shënua me prishjen e Jugosllavisë; të tjerët çfarë kërkojnë që duan t’i ngjajnë mushkës!
“Perandoria e Narkotikëve” në Shqipëri, me sa duket ra pa u ngritur. Këta mundën të prodhojnë veç torba me kanabis dhe njerëz të varfëruar disafish. Kishin menduar të ndërtonin grupe rivale milarderësh dhe ushtri rivalësh që do të hapnin luftë mes njëri tjetrit; por në fakt dështuan. Magazinat e vogla me bimë narkotike, që këta i “zbulojnë” përditë, dëshmojnë dekompozimin. Morën ca lekë për vete dhe tani po tremben se kush mund t’u vijë natën në shtëpi.
Kështu po lundron Ballkani politik, mes qeverive që janë dhe që nuk janë.
Maqedonia po shkon drejt zgjedhjeve, por me trendin për të zgjedhur atë që ishte. Domethënë, qeveria zgjidhet si e rënë që pa u ngritur. Në Bosnjë e Hercegovinë bëhen manovra ushtarake “për të sulmuar terrorizmin”; në fakt “terroristë” shpallin njëri tjetrin: Banja Luka të tjerët (Muslimanët) dhe të tjerët njëri- tjetrin. Një ditë pritet të shikohet shpërbërja e Bosnjës së Daytonit.
Serbia po përjeton krizë ekonomike dhe krizë identiteti. Vuçic, kryeministër, betohet para Kremlinit, por i premton Berlinit; në Serbi ka hapur fjalë se “jam nxënës i Merkelit” vetëm për shkak se një herë në javë shkon në Berlin e merr leksione gjuhe. Në rastin e një ekspansioni të Rusisë (e cila po vjen rrotull në Mesdhe), qeveria serbe bëhet e papranueshme. Edhe në rastin e një ringjalljeje të Europës sipas idesë së “bashkimit të shteteve”, qeveria e Serbisë nuk mund të merret seriozisht. Por, o njëra, o tjetra, do të duken në kontinent së shpejti; dmth., o ekspansioni i Rusisë, o ringjallja e Europës. Atëherë Vuçiç bie papritur, në kulmin e fitoreve, siç ra Gjukanoviç pse “e kërcënoi” Rusia.
Në Ballkan bien “o prej burrnisë, o prej mungesës së burrnisë”- thotë një fjalë e urtë mes gjithë kombeve ballkanikë. E mbani mend kur qeveria e Kosovës ra në nervozizëm? Para disa javësh, kur nuk mundi të votoojë ligjin për kufijtë me Malin e Zi. Iu sulën deputetëve kundërshtarë. Një zonjë me emrin Aida Draguti, deputete, sapo dilte nga tualeti i Parlamentit. Pesë a gjashtë burra të fortë i zunë derën e tualetit dhe i vunë prangat zonjës. Çfarë burrnie!
Rënia e vërtetë e qeverive, edhe në Ballkanin e “egër të burrave”, ka qenë historikisht aq pa dinjitet sa vetë qeveritë.
Analizat më të mira të Perëndimit po dëshmojnë se Ballkani tani ndodhet në prag të një konflikti. Konflikti është nxitur nga qeveritë, të cilat nuk janë të afta të qeverisin pa vulgaritetin e luftës; njëkohësisht konflikti shpejton rënien e qeverive. Në gjithë Ballkanin perëndimor po kërkohet largimi i elitave të pushtetit. Alternativa ironike popullore është kjo: “O largohuni ju, o po ikim ne!”. Kjo është më tragjikja e gjithë historisë së këtyre popujve. Rreth 30 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe njëkohësisht e qytetarëve të shteteve të Ballkanit perëndimor (sipas statistikave të instituteve perëndimore) po kërkojnë të lënë vendin. Shqipëria që u kthye në fillesa të Luftës Ballkanike për shkak të vijës bregdetare, po bëhet përsëri një sferë që “nuk e mbajnë nervat” . Slogani diplomatik i qeverisë shqiptare “zero problem me fqinjët”, i kopjuar fjalë për fjalë nga tirania e Erdoganit të Turqisë, është kthyer nga “zero problem me fqinjët” në “problemi zero brenda vendit”. Nuk ka asgjë që e mban qeverinë këtu në vend, as ekonomia, as siguria, as besimi, as popullariteti. Ky është “problemi zero”.
Rëni dhe rrënimi ballkanik mund të fillojnë për shkak të “zeros”.
/ Veritas.com.al/