Frrok Çupi/

Jashtë avllisë së rrethuar nga muret askush nuk do t’ia dijë për luftën brenda rrethimit. Por as brenda Pallatit ‘nuk dinë’ çfarë po ndodh. Lufta po bëhet në oborrin e klasës sunduese politike. Po të mos ishim strangopur me nocionin ‘luftë e klasave’, mund të thonim se kjo është tipike luftë klasash…

Të dy partitë kryesore, PS në qeveri dhe PD në opozitë, kanë lënë ‘shtëpitë’ e tyre, njëkohësisht janë izoluar nga populli ( jashtë mureve të avllisë), dhe po luftojnë në oborr.

Qëllimi i njëjtë nr. 1 i të dy partive:

Sot Partia Demokratike (në opozitë) bëri një lajmërim të madh se një ngjarje e jashtëzakonshme do të njoftohet. Ngjarja lidhej me disa prova “regjistrimesh ambientale” mbi vëllain e ministrit të Brendshëm, Xhafa, të prezumuar si trafikant droge. PD bëri sikur luftonte kundër lidershipit të PS (në pushtet), por në fakt u radhit në krah të tij. PD sulmoi ministrin Xhafaj, me gjithë synimin që të ‘mbulojë’ ish ministrin Tashiri, tashmë në ‘arrest shtëpie’. Edhe PS këtë luftë po bën: kundër ministrit Xhafaj, me qëllim që të bëjë hije për ish- ministrin Tahiri dhe ky të dalë ‘pa lagur’. Që ditën kur të dy partitë e mëdha kuptuan se aleatët ndërkombëtarë po kërkonin burgosjen e Tahirit, liderë armiq u bënë bashkë për ta shpëtuar. Xhafaj mund të jetë ‘fajtori i botës’, por Tahiri është kapur me presh në duar në lidhje me grupet kriminale ndërkombëtare. Tahiri ka shumë prova në duar, si për lidershipin e PS edhe të PD; që ditën kur morën vesh se ‘po e kërkon Perëndimi”, këta u bashkuan në një qëllim.

Stili i njëjtë, nr. 2:

PD nxori në konferencën ‘e jashtëzakonshme’ tre deputetë, në rresht. Stili denigrues i kryetarit të PS, Rama, ndaj kundërshtarëve brenda ‘shtëpisë’, u aplikua nga kryetari i PD, Basha. Të vesh në rresht tre deputetë, dy nga të cilët kanë qenë ministra drejtësie, për të dhënë një lajm me prova të kontestueshme- kjo është denigruese. Basha e  shtoi dozën e denigrimit të kundërshtarëve brenda partisë: Si zë kryesor në grup emërtoi deputetin Salinjani. Ky është një aktivist që humbi zgjedhjet në Rininë Demokratike, por u përzgjodh nga kryetari si deputet. Kohët e  fundit është bërë ‘bozë’ për shkak të një skandali seksual brenda ‘familjes’ demokratike, që tashmë është publik. Zoti Basha duke vënë gishtin te Salinjani kreu dy ‘detyra lufte”. E para, iu tha liderëve të tjerë brenda PD se ‘ju nuk vleni as sa Salinjani”; e dyta, transmetoi në publik imazhin se ‘njoftimi i jashtëzakonshëm’ rreth ministrit është pa vlerë…  Kush mund ta marrë seriozisht një ‘njoftim për luftë’ të shpallur nga Salinjani? Edhe në këtë rast, lideri i PD veproi në dobi të liderit të PS.

Stili 3: Të dy njësoj- lideri një hap prapa!

Sot në ngjarjen e “jashtëzakonshme” me drogën e vëllait të ministrit, që mendohej se “do të rrëzonte qeverinë”, të dy liderët kryesorë (PD dhe PS) zbatuan të njëjtën taktikë. Basha i PD nuk doli para publikut për ‘ngjarjen e jashtëzakonshme”, kur nuk ka lënë lajm pa dhënë në atë tribunë. Disa e menduan se ndodhet para një ‘gjyqi’ të madh ndërkombëtar mbi aferën e ndërhyrjes ruse në lobingjet me Amerikën, përmes kryetarit të PD. Por ka edhe një arësye tjetër: Prej pak ditësh, Rama i PS nuk po çan ekranet dhe tribunat. Atëherë edhe Basha sot ndoqi të njëjtën taktikë: Nuk u shfaq ‘live’. Të dy bënë një hap prapa nga zakoni i agresionit ndaj publikut.

As në Pallat, as jashtë avllisë nuk ‘dinë gjë’

‘Pallat’- sipas konceptit të luftës në Pallat, po quajmë partitë. As anëtarët e PD dhe as anëtarët e PS, që qëndrojnë brenda shtëpisë- nuk janë njoftuar mbi ‘luftën’. Madje askush nga lidershipi nuk pyet për  anëtarësinë. Lidershipi i PS ka ndërruar emrin dhe ngjyrat e PS më shumë se dy a tre herë; edhe PD ka bërë të njëjtën gjë. Kurrë nuk kanë pyetur njeri brenda ‘Pallatit’. PS ka ndërtuar ekipin e ‘Rilindjes’ për qeverinë, dmth., jo qeveri e Partisë Socialiste, por e ‘Rilindjes’; të njëjtën gjë bëri Basha i PD: Në vend të PD shpalli ‘qeverinë e Republikës së Re” gjatë Revolucionit në çadër. Edhe në luftën kundër ‘krimit dhe drogës’ nuk pyet njeri anëtarët e Partive. Pallati fle, ndërsa në oborr ndahen harxhet e luftës…

Gjatë gjithë kohës, në marrëveshjen PD- PS, politika dhe pushteti mbahen jashtë sistemit.

Po për masat njerëzore jashtë murit rrethues të oborrit?… Për popullin as që pyet njeri; madje edhe lufta nuk bëhet për ata. Lufta bëhet për pushtet brenda ‘oborreve’. Si, brenda ‘oborreve’ në numër shumës?! Sepse secila nga partitë ka nga dy oborre lufte: Atë ku ‘vret’ lidershipin e vet; dhe atë ku merr pushtet nga kundërshtari…

Por as jashtë mureve nuk do t’ia dijë njeri çfarë po ndodh në oborr. Në fund të fundit asgjë nuk ka lidhje me popullin, as se ka drogë, as se nuk ka drogë…

Veritas.com.al/