Nga Enkel Demi/ 27.al/

Edi Rama shpalli qeverinë e tij duke vazhduar traditën e kryeministrave shqiptarë të pas komunizmit. Guxoi pak dhe nuk e preu kordonin ombelikal, parti-shtet.

Natyrisht, ka bërë mirë, sepse tek e fundit partitë prandaj janë që të marrin pushtetin dhe njerëzit që marrin pjesë në to japin ndihmën për fitoren që të bëjnë kariera individuale politike, administrative e kështu me radhë. Pra, nuk është turp të përfitosh nga pushteti, nëse ke hyrë, duruar dhe investuar në mekanizmat e partisë. Të gjitha tezat që tentojnë ta zbehin, dënojnë apo shmangin këtë realitet janë rrena.

Në këtë këndvështrim, Edi Rama paraqiti kabinetin e tij pasi fitoi zgjedhjet, falë një manovre elektorale të shkëlqyer që e futi inteligjentin e dalluar të opozitës derr në thes.

Duhet thënë që kryetari socialist është i vetmi politikan shqiptar që manovrën e tij elektorale e pati me pasoja post-elektorale. I vetmi që bëri viktimën duke qenë në pushtet, opozitarin duke qenë në qeveri. I vetmi që krijoi idenë e projektit të qeverisë me bazë të gjerë edhe pas zgjedhjeve, pa e thënë kurrë një fjalë të këtillë. Shkurt, i vetmi që fitoi rëndshëm, duke krijuar idenë se po humb pushtet, meqë ka bërë marrëveshje me hollandezin fluturues.

Duroi gjithçka i vunë në shpinë dhe dje paraqiti mekanizmat e pushtetit të tij të këtyre katër vjetëve, duke ruajtur me fanatizëm trashëgiminë ish-komuniste të Partisë Socialiste dhe make up-in e Rilindjes.

Për këtë e votuan shqiptarët, këtë meritojnë ata. Sipas kokës festen.

Përpëlitjet metaforike të Palokës apo kërcënimet e Dhuratës ngjajnë me qarjet e fëmijëve që nuk e vazhdojnë dot lojën me top, pasi xha Aliu jua çau me thikë, sepse i ra topi tek bahçja e tij.

Ata që sot e shohin nga poshtë pushtetin, sepse janë pakicë dhe këtë këndvështrim u caktoi vota e sovranit, duket të nisin punën si t’ia marrin pushtetin këtij burrit. Por, ashtu si ai bëri me dije armët e tij, këta le të na tregojnë të tyret. Kuptohet, janë në opozitë dhe nuk ka ngut, meqë kanë katër vjet kohë për të vuajtur. Prandaj, ta nisin me bashkimin e opozitës që është bërë kashtë e koqe, falë derrit në thes e pastaj të gjejnë udhën drejt pushtetit.

Me këtë rast ta heqin Majlindën nga shtylla e turpit dhe t’i thonë atij paremadhit të Vlorës që parja nuk të bën orator, ashtu si dhe parimisht orator me pare nuk ka.

Veritas.com.al/