Frrok Çupi/
Nuk po them për xhunglën e pyjeve tropikale. Po flas për xhunglën njerëzore ku nuk hyn as dielli, ku nuk hyn e del njeri i huaj, ku njerëzit e xhunglës nuk kanë derë ku dalin… E kemi provuar gjysmë shekulli. Këtu njeriun e hëngri njeriu, e shtrydhi e poshtëroi dhe e hodhi në gropë vetë njeriu që doli në krye të shtetit…
Sikur të ishim në xhungël në këtë rast kur të huajt kapën ‘ministrin bandit’!… Kushedi ç’do të na bënin këta që kemi votuar ëpr të na qeverisur! Ta kishin kapur atëherë Saimir Tahirin e kohës, ose edhe një majë thoni nga të Enver Hoxhës, këtu të gjithë do t’i shqyente tirania dhe do t’i hidhte nëpër burgje apo në varreza që quheshin edhe shtëpi…
Në fakt, prej 48 orë (ndoshta më shumë) këta po tentojnë të na rrethojnë si në xhungël. Këta po luftojnë si krokodili i xhunglës që të mbrojnë ‘kafshën’ e tyre dhe të na shqyejnë të gjithëve me sy mbyllur. Saimir Tahiri, ish ministër i Brendshëm, është kapur nga shërbimet sekrete dhe policia e vendeve anëtare të Europës, me siguri edhe në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, në veprimtari kriminale në shtetet që lagen prej Adriatikut. Ky, si ministër ‘bandit’- siç thuhet në informacionet e Europës, ka kryer aktet më të rënda kundër shtetit kombëtar shqiptar. Sipas informacioneve të fqinjëve europianë, ky ka udhëhequr bandat e trafikimit të lëndëve narkotike e të armëve dhe është shpërblyer me shuma të mëdha, aq të mëdha saqë një informacion i kushërinjve të tij mafiozë në bandë, kapin shifrën 5 milionë euro në muaj. Pas fitimeve marramendëse të ministrave dhe të të tjerëve, ndodhin dy fenomene: I pari që ‘kafshët’ e varfra të xhunglës bëhen kockë e lëkurë (dmth., ne njerëzit e shtypur) dhe pas kësaj nuk kemi pikë fuqie që të reagojmë kundër krokodilit. E dyta, me përfitime pa fund nga droga, krimi dhe vjedhjet-, qeveria blen pushtet të pafund…
Kjo është njëra anë e xhunglës: Kafsha e madhe bëhet sunduese e xhunglës së vet.
Ana tjetër, se gjatë të paktën 48 orëve të fundit, këta po përpiqen që të izolojnë gjithçka si në një kuti të errët, për të shpëtuar ministrin pirat. Kanë izoluar fuqinë ligjore të Kuvendit. Sipas ligjit, deputeti nën hetim nuk merr në pyetje prokurorinë, por dorëzohet para prokurorisë dhe gjykatës. Sipas ligjit dhe moralit, kur kapet deputeti në bandë, ky dorëzohet menjëherë në pranga me qëllim që të mos ‘helmojë’ xhunglën me prishje provash. Sipas ligjit, vota e qytetarëve nuk kthehet në mburojë e krimit.
Partia Socialiste (ish- komuniste) po tenton të izolojë gjithë krimin e ish- ministrit nga syri i aleatëve perëndimorë. Strategjia e ‘izolimit’ si në xhungël spikat në çdo veprim. Guximi i këtyre ia kalon diktaturës komuniste. Diktatura komuniste e izoloi xhunglën nga çdo cep, asnjë zog nuk fluturonte prej andej këtu; pastaj nisi të hajë kafshët e dobëta- njerëz. Ndërsa këta, edhe pse dyert janë hapur nga të katër anët, nuk shikojnë dritë dhe bëjnë atë që iu thotë instinkti: Izolo veten, mos trego ‘këmbët’, mbro kafshët e mëdha që ndodhen pas Tahirit; dhe në fund siguro pushtet mbi kafshët e dobëta edhe për shumë vjet…
Partia shtet, që ka superpushtet parlamentar, po mbron njeriun e parë, më të fuqishmin ne kryerje krimesh, ish- ministri, autor dhe dëshmitar krimesh. Kjo do ta veçojë shtetin tonë komb nga gjithë bota e përparuar.
Po bëhen të gjitha tratativat…
A do t’ia dalë maxhoranca të vendosë regjimin e xhunglës?
Në qoftë se ‘shpëton’ Tahirin nga ndëshkimi, atëherë këtu krijohet një xhungël tjetër: Xhungla e mosbesimit njerëzor dhe e kaosit, në atë moment e pas- as individi nuk njeh qeverinë dhe as qeveria nuk mëshiron individin. Mjerë kush të rrojë!
Në qoftë se nuk shpëton Tahiri, ai shkon në burg dhe dorëzohet në duar të shteteve perëndimorë ku ka një pjesë të veprës kriminale. Në ato qeli ai do të kthehet në ‘litar’ me të cilin do të tërhiqet gjithë krimi shtetëror shqiptar, dhe do të dalë në shesh. Pa liruar Shqipërinë nga krimi dhe droga, asnjë projekt i SHBA- Europë nuk mund të zbatohet as për Ballkanin, as për Rusinë, as kundër ISIS, as për Lindjen e Mesme.
Në qoftë se nuk shpëton Tahiri, atëherë ai kthehet nga viktimë në dëshmitar. Ministri i Brendshëm Tahiri është dëshmitari i krimit të ‘shokëve’. Ai do të jetë ‘i penduari’ që do të tregojë ku janë paratë e fshehura nga makutët shtetërorë, do të tregojë për Panama Pappers, për milionat që u ka dorëzuar shokëve nga tregtia me drogën; do të dëshmojë një për një që nga më i madhi te më i vogli…
Atëherë shemben mitet e kriminelëve.
Në qoftë se nuk shpëton Tahiri, me siguri, në kushtet e ‘xhunglës’ së më të fortit, ditët e lirisë mund t’i ketë të numëruara ‘në liri’. Jetojmë kushtet e krimit të tmerrshëm.
Por nëse nuk shpëton, atëherë edhe Tahiri shpëton. Sigurisht po të izolohet në burgjet e fqinjëve ku ka kryer edhe krimet për të cilat po flitet…
Atëherë edhe ‘xhungla’ jonë merr frymë dhe pak dritë dielli. Tregon se po na shikojnë aleatët perëndimorë: SHBA dhe Europë. Po të ishim në xhungël do të na shqyenin të zgjedhurit e racës sonë.
Veritas.com.al/