Nga Enkel Demi/

Babalja është një personazh që duket sikur është sajuar në legjendat urbane. Nëse nuk do të dilte të fliste për historinë e tij Jetmir Olldashi, me siguri do na ngjante me një fantazi të filmave action, siç ngjau fillimisht me avionët Piper. Por, ai u shfaq dhe tani ka pështjelluar me atë të folmen e tij të rëndë toske një qeveri që ka gjithçka për vete kusi, tepsi, kazanë, legena e govata.

Luli lajmëroi protestë të shtunën e kështu do e shtyjmë këtë javë me ca si Lenci që janë “dhe i vetëm trim në luftë” e me ca të tjerë si Tur Çani që në mbrëmje do të japë pjesën tjetër të rregjistrimit.

Pa dyshim, Fatmir Xhafaj qysh në momentin që në vetingun për policinë i pyet policët e ruajtjes së objekteve për vëlla, motër e miqësi, duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Por, parimi rilindas “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”, e ka kthyer ministrin e Brendshëm jo rob të të vëllait, por skllav të kryeministrit. Ai tashmë është peng i njeriut që tërheq fijet në radhë të parë brenda Partisë Socialiste, pastaj të kësaj shoqërie.

Jam i bindur që kështu si rodhën punët, Fatmirit fatkeq të qeverisë i qëndron portofoli i ministrisë si dikush që e ka këmbën 45 dhe mbath këpucë 41. Prandaj, largimi i tij prej qeverisë ka gjasë të jetë një farë çlirimi që mund të sjellë në sytë e lodhur një fije gjumë, por e thamë që ka mbetur si miza në rrjetën e merimangës së sulltanit. Prandaj, të gjithë nga pak duhet ta ndihmojmë që të shpëtojë nga kjo zezonë që e ka gjetur.

Teksa qëndronte në Korçë dhe fliste për bandat e kapura në Gjermani, dikush mund t’i thoshte që në komisariatin e policisë të atij qyteti të paqtë la jetën një djalë 27 vjeç, hajn, i komunitetit ballkano-egjyptas, të cilin në të folmen e përditshme i thërrasim me keqdashje “jevgjitë”. Kjo është arsyeja që policia që na ngjall frikën e ligjit me atë operacionin mavi, i hyri në dru të riut dhe e la të vdekur. Enea Ftoj ka lënë pas tre fëmijë dhe kishte vendosur të jetonte si cub, por kjo nuk do të thotë që dikush ka të drejtë t’i marrë jetën, pse ka një tjetër ngjyrë lëkure dhe ne e quajmë “jevg”.

Vdekja në një stacion policie kudo në botë do të kishte shkaktuar tollovi politike dhe ministri i linjës do të ishte çliruar nga makthi që e ka zënë me një dorëheqje krejt të justifikuar. Në Shqipëri nuk pipëtin kush. Madje, kjo qeveri që e bën ekspertizën e një përgjimi të komplikuar për punë orësh, nuk ka bërë ende një ekspertizë përse vdiq djaloshi në qeli. Sa kohë kjo vdekje të mbetet në terr, ajo konsiderohet vrasje shtetërore. Edhe sikur tani të dalë ekspertiza, besueshmëria është në nivelin më të ulët. Çdo njeri sot mund të pyesë me të drejtë që kur policia nuk do t’ja dijë për forcën e ligjit në dhomat e saj, si mund të presim ne ta vërë në jetë në rrugë të madhe.

Natyrisht, ministrit të Brendshëm ndoshta nuk i hyn në sy që të pallojnë në dru në komisariat, sepse është e vetmja metodologji që njeh, ashtu si më 2 korrik të vitit 1990, kur ndihmonte trupat e repartit 326 të çonin tek Mali me Gropa çunat e Rrugës së Kavajës që nuk donin pushtetin e komunistëve, ku ai dallohej si sekretar i parë i Bashkimit të Rinisë së Punës së Tiranës.

 

Me siguri po të ishte Babalja “jevg” nuk do e kishte marrë njeri me gjithë mend. (27.al)