Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka përfunduar verifikimet nga ku ka rezultuar se viktima e fundit e dhunës në familje, gjyqtarja Fildeze Hafizi nuk kishte kërkuar ndihmë apo shprehur shqetësim gjate 8 muajve të fundit, pranë uniformave blu.

“Nga fillimi i 2016 e në vazhdim nuk kemi patur asnjë informacion, apo kallzim nga gjyqtarja për dhunë nga ish-bashkëshorti. Janë bërë verifikime në Komisariatin e Kavajës, në Tiranë dhe gjithë vendin dhe nuk kemi patur një informacion për këtë rast”, thotë për ‘Top Channel’, Josif Shtembari, Drejtor për Krimet në Policinë e Shtetit.

Por drejtori për Krimet në Policinë e Shtetit pranon se shifrat e denoncimeve të dhunës në familje janë alarmante.

“Po ta shikojmë që nga 2005 e në vazhdim, kemi 94 raste fillimisht duke shkuar në mbi 2 mijë raste për 2017-ën”, deklaron zoti Shtembari.

Por ka ende shumë raste të padeklaruara dhe një i tillë ishte edhe ai i gjyqtares fatkeqe të Shkodrës, rast që përfundoi me dhunë ekstreme, ndaj dhe zyrtari i lartë ka edhe një apel për çdo person që ndihet i dhunuar në familje.

“Të telefonojnë policinë dhe patrullat do jenë pranë tyre për t’i mbrojtur dhe marrë kallëzimet. Nuk ndodh që policia të mos u përgjigjet këtyre rasteve pavarësisht vështirësive”, deklaron ai.

Veritas.c.om.al/