Policia ka dhënë detaje mbi vrasjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në zonën e Manzës në Durrës. Blutë e këtij qyteti thonë se rreth orës 02:00, në fshatin Shkallë, Manëz, nga Patrulla e Policisë, është gjetur i braktisur automjeti tip BMV me targa AA 938 DR, në pronësi të shtetasit Arben Hasa 39 vjeç, banues në fshatin Karpën, Maminas.
Në automjet janë gjetur njolla gjaku, 2 copë fishekë dhe një gëzhojë automatiku. Në orët e para të mëngjesit, në fshatin Manëz e Vjeter është gjetur trupi i pajetë i shtetasit Arben Hasa.
Policia thotë se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Miran Tila, 43 vjeç, banues në Manëz Durrës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se midis tyre ka patur një konflikt disa muaj më parë.