olicia e Shtetit në Shqipëri ka publikuar emrat e personave më të kërkuar për veprat e rënda penale gjatë tremujorit të parë të vitit 2022.
Bëhet fjalë për shtetasit: Talo Çela, Laert Haxhiu, Jani Alia, Ibrahim Lici dhe Erjon Llapushi.
Sakaq, nga Policia bëhet me dije se, për çdo informacion, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash.
Cilët janë emrat e shpallur më të kërkuar?
1.Talo Çela
Talo Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së 9 prillit 2019. Në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, grabitën një sasi “të konsiderueshme” vlerash monetare.
Talo Çela ishte person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Kjo, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
2.Laert Haxhiu
Laert Haxhiu është i dyshuar si atentatori kryesor i ngjarjes së 11 shtatorit 2017 në Lushnje, ku mbetën të vrarë dy persona, Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi.
Haxhiu, nga Prokuroria e Lushnjës, është akuzuar edhe për vrasjen e Gerti Salës, i njohur ndryshe si “Iriqi”, anëtar në bandën e Lushnjës, në vitin 2009 dhe si autor kryesor i plagosjes me pistoletë me 25 shtator të 2016-ës të Xhulio Shkurtit dhe Saimo Xheliut.
Po ashtu, në 2016-ën, ai ka tentuar të ekzekutojë edhe nipin e Aldo Bares, Xhuljo Shkurti në qendër të Lushnjës.
3.Jani Alia
Emri i shtetasit Jani Alia është mjaft i njohur edhe për faktin se krimi, për të cilin është dënuar, ka ndodhur brenda një lokali në zonën e Ish-bllokut në Tiranë, ku ekzekutoi Elton Çiçon.
Disa vite më parë, Alia qëlloi me thikë duke i shkaktuar vrasjen shokut të fëmijërisë së Çiços. Bëhet fjalë për një vrasje të ndodhur në vitin 2000 në fshatin me emrin Zhabakin.
Rreth tri vite më vonë, ndodh që arrestohet në Greqi edhe Elton Çiço.
Dy tepelenasit rastis të përballen në të njëjtin vend, në Burgun e Koridhalosë: Alia i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe Çiço me 5 vjet për drogë.
Aty ndodhi përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiço plagosi me thikë Alinë, kur ndodheshin në ajrim.
Disa javë pas kësaj ngjarjeje, Jani Alia del me leje nga burgu, pasi kishte bërë 10 vjet, por nuk kthehet më në burg dhe shpallet në kërkim nga Policia greke. Pak kohë më pas lirohet edhe Elton Çiço, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti nisin edhe atentatet.
Jani Alia u tentua të ekzekutohej nga Elton Çiço më 10 janar të tre viteve më parë. Ai qëllon disa herë në drejtim të tij me armë zjarri, por nga plumbat plagoset vetëm një person i rastësishëm. Policia nis hetimet për ngjarjen dhe zbulon se objekti i këtij atentati ishte pikërisht Jani Alia, i cili në atë moment kishte në përdorim një makinë tip “BMW X6”, të cilën më pas e zhduku.
Çiço organizoi edhe një tjetër atentat ndaj Jani Alisë, kësaj here në Gjirokastër.
4.Ibrahim Lici
Ibrahim Lici, i dyshuar si personi që më 30 mars 2019 vrau në një atentat vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali.
Lici është djali i Mustafa Licit, në 2019-ën anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, i arrestuar më herët për gjobvënie ndaj tregtarëve në qytetin e Shkodrës.
5.Erjon Llapushi
Në vitin 2007, Erjon Llapushi ka tentuar të vrasë me armë zjarri Andi Sukollarin. Por nuk është ndalur me aq, pasi ka kryer dënimin, ka dalë nga burgu dhe ka plagosur rëndë Mariglen Topuzin.
Një vit më pas, në një lokal në qytetin e Pogradecit, Llapushi ka plagosur Mariglen Topuzin, ndërsa qëndronte bashkë me të.
Topuzi, edhe pse i qëlluar poshtë zemrës, fatmirësisht ka mbijetuar. Ndërsa i riu është dërguar sërish pas hekurave të qelisë.
Ai, në bashkëpunim me Saimir Frahollin, përmes presionit dhe shantazhit, mundën të merrnin 17 për qind të aksioneve të një kompanie private për transportin e udhëtarëve në linjat Pogradec-Korçë dhe Pogradec-Tiranë. Më pas, aksionet i shitën tek një person i tretë. Megjithatë të dy u arrestuan nga Policia e Pogradecit, e në vitin 2020 Llapushi ishte në burg. Edhe pse vepra për të cilën ishte prangosur dënohej deri në 8 vite.
Në 29 maj të 2021-it, pra katër muaj para se të kryente krimin në Elbasan, Erjon Llapushi u arrestua sërish pasi po transportonte 24 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së. Sipas Kodit Penal, një vepër e tillë penale dënohet 3 deri në 7 vite burg, por Llapushi, për arsye që nuk dihen u la i lirë.
Në janar të vitit 2020, Erjon Llapushi ishte objekt i Operacionit Forca e Ligjit, por nuk iu sekuestrua asnjë pasuri.