E përjavëshmja britanike ka botuar një intervistë të kryeministrs skoceze Nicola Sturgeon, të shoqëruar me një fotolajm ku listohen politikanet pa fëmijë.
“Childless politicians”, thënë ndryshe “Politikanet pa fëmijë”. Ky është titulli i një fotolajmi botuar në Sunday Times, në 4 shtator, që ka trazuar politikanë dhe njerëz të zakonshëm.
Ky fotolajm i bashkëngjitet një interviste të kryemeinistres së Skocisë, në të cilën Nicola Sturgeon tregon se ka dështuar një fëmijë kohë më parë. Për të ilustruar fjalët e kryeministres skoceze, gazeta ka zgjedhur të listojë, në formë tabele, politikanet e Mbretërisë së Bashkuar që nuk janë nëna. E përjavëshmja citon edhe kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May, ish sekretaren e Shtetit Angela Eagle, apo edhe Ruth Davidson, kryetaren e partisë konservatore skoceze.
Sunday Times nuk e la me kaq, përveç faqeve të gazetës e hedh intervistën dhe fotolajmin edhe në faqen e vet në Twitter, duke e shoqëruar me një citat nga intervista e Nicola Sturgeon: “Nëse dikush do të më jepte mundësinë të kthehesha njëzet vjet pas… dhe të kisha fëmijë, do të zgjidhja këtë opsion”. Dhe gazeta e shoqëron postimin e vet me: “Dështimi i Nicola Sturgeon që theu shpresat e saj për të patur fëmijë”.
Legjenda, mesazhi, fotolajmi… Sapo u postua, shkrimi u akuzua për seksizëm. Vetë Ruth Davidson reagoi në Tweetter: “Oh, e adhuroj KAQ SHUMË të kategorizohem si “politikane pa fëmijë”…».
“Unë jam burrë, kjo nuk ka rëndësi”
Edhe politikanët janë prekur nga ky trajtim gazetaresk. Parlamentari britanik, Chris Elmore është prononcuar kështu në Tweeter: “Edhe unë jam politikan pa fëmijë. Por ma do mendja se meqë unë jam burrë, kjo nuk ka rëndësi.”
Për të theksuar absurditetin e kësaj iniciative, shoqata Women 50:50, që mbron barazinë në parlamentin skocez, botoi sakaq një version mashkullor të listës së Sunday Times (nxjerrë nga postimi i avokatit Gillian Baker në faqen e tij në Tweeter). Ndër politikanët meshkuj të etiketuar “pa fëmijë”: Alex Salmond, ish kryeministër i Skocisë, Humza Yousaf, ministry skocez i Transporteve, apo edhe Liam Fox, sekretar Shteti për tregtinë e jashtme i Mbretërisë së Bashkuar. Shoqëruar me shënimin “#everysexism”(“seksizëm i përditëshëm”), ky postim ka marrë 2 300 pëlqime dhe është shpërndarë mbi 4 000 herë.