Nga data 17 janar 2022 do të hidhen në treg kartëmonedhat e reja 500 dhe 2000 lekë. Lajmi u bë me dije nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

“Vlen të theksohet se në vitin 2021, kemi prodhuar edhe 2 kartëmonedhat e fundit të serisë, ato me prerje 500 dhe 2000 Lekë, të cilat pritet të hidhen në qarkullim në ditët në vijim, duke realizuar përfundimisht kompletimin e serisë sonë të re të kartëmonedhave, të përbërë nga 6 prerje. Duke filluar nga data 17 janar 2022, kartëmonedhat e reja do të jenë në duart e publikut dhe do të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e serisë aktuale. Ato janë dizajnuar dhe prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës dhe janë të pajisura me elemente bashkëkohore dhe të sofistikuara sigurie”, tha Sejko.

Gjatë fjalës së tij Sejko tha se rritja e vazhdueshme e çmimeve rrezikon rritjen e inflacionit në vend.

Ndërkohë kujtojmë që 30 shtator të vitit 2019 u hodhen ne treg kartëmonedhat 200 dhe 5000 lekë. Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit në fushën e prodhimit dhe elementeve të sigurisë së kartëmonedhave, me qëllim që ato të jenë më të sigurta, duke ia bërë “më të vështirë jetën” falsifikatorëve.